Wednesday, September 30, 2009

shumë beqirë për asgje...

shumë beqirë për asgje...

E qëndisi Ardit Rada

Nuk e di përsa u përket juve por unë njoh njerëz që më ngjallin neveri. Kur them neveri e kam fjalën që ma pështirosin ekzistencën time sidomos në këtë vend. Pa ja të imagjinojmë në një moment se dikush insiston se qielli është jeshil dhe këtë e justifikon në emër të shkencës e s’ka burrë nëne tia kthejë mbrapsht mendimin. A nuk të vjën të plasësh? Herën e parë edhe ja fal se thua “po ja kështu i është fiksuar këtij të ziut se ka lexuar autorin e gabuar e s’ka pasur mundësi të gjejë një fakt për kaltersinë e qiellit.” Mirëpo njeriu në fjalë këmbëngul si mushka se ai di të vërtetën ndryshe nga miliona të tjerë dhe se e vërteta e tij është më e vërtetë se ajo tona. Unë në fakt kohët e fundit s’kam pasur siklete si kjo që thashë. E kisha fjetur mendjen se ngjyrat janë qartësuar, lëndët në natyrë janë ndarë sipas llojit e historia është shkruar një herë e mirë. Po Shqipëria qënka e çuditëshme. Dikur ishte shprehja “lum ti tokë se ç’trima mban” po s’besoj se dikujt do i shkonte në mwndje të thoshte dhe pjesën se kjo tokë rrit dhe hajvanë që bëjnë hije kot, dallkaukë që hanë bukën qyl e maskarenj. Fjalën maskarenj kur e mendova e kisha parasysh me gërmë të madhe ashtu siç shkruhet edhe emri Beqir. Beqirët në përgjithësi janë njerëz bosh, hipokritë, të rremë, kameleonë e injorantë. Të paktën unë kështu i kam Beqirët e mi. Beqirët shtohen e zakonisht bëhen karagjozë e qesharakë më shumë se shqiptimi i emrit të tyre në gjuhën tonë. Beqirët e mi të lënë pa gjumë, pa ngrënë dhe pa shkuar në shkollë. Ta shpifin shkollën, ta presin oreksin e të fusin në mendime të thella për budallallëqe, nga ato mendimet që ngjajnë si teorema të vështira por që në të vërtetë zgjidhen me një apo dy fjalë të thjeshta.

Beqirin që mu shtua këtë javë s’e gjeta vet. Ma serviri fillimisht Balkanweb. Ishte Beqir historie. Jo hero, ngjarje apo betejë. Ishte më shumë se kaq. Ishte Beqir e shkuar Beqirit. Ishte nga ato që dinë ku i pikon çatia fqinjit e që bëjnë dhe gruan e këpucarit të ecë zbathur. Nga Balkanweb mora vesh si fillim lajmin se Beqir Meta kish hartuar një tekst historie të profilit natyror sëbashku me dy kolegë të kallëpit të tij e me mbiemrat përkatës Dezhgiu dhe Lleshi. Mbiemri i Beqirit më kujton Ilirin dhe Shkëlqimin (të dy ish kandidatë për kryetar të PS-së). Lleshi s’më kujton gjë tjetër veç Haxhiut ndjesë pastë dhe batutës së tij në parlament në fillim të viteve `90 kundrejt Gramoz Pashkos, edhe ky pastë gjetur rehat atje ku ka rënë. Përsa i përket Dezhgiut s’më kujton asgjë. Asgjëja mua më krijon stres e frikë. Më duket sikur arrij nirvanën kur s’mendoj asgjë. Nejse, për të mos u zgjatur, të tre parodistët e sipër përmendur, më prishën rehatin e gjithe javës, sidomos fundjavën në Korçë që e kisha taksur për të pushuar. Më prishën rehatin se historinë gjithmonë e kam pasur në zemër dhe pse kam studiuar gjuhë të huaja. Sa herë që mbaronte lënda e historisë, merrja terma si “revolucion demokratik”, “kooperativë e bashkuar”, “liri e tregut” dhe mundohesha ti përktheja në rusisht. Nisur nga interesi për historinë, kam lexuar aq shumë saqë mendova se ç’do literaturë mbaroi dhe vërtetë u bë gati një vit që s’lexoj më për vendin tim. Ishte një histori aq e thjeshtë, e bukur, e larmishme, e debatueshme, e madhe dhe e pa imagjinueshme. Mirëpo të lë Beqiri? Ma prishi skenarin se na shpiku historinë e re e këtë s’ja fal kurrë. Ç’ti bëj unë termit “rebelim komunist” të beqirëve? A përkthehet kjo në ndonjë gjuhë? Communist rebellion, bën sens në anglisht? S’e besoj! Ose është revolucion ose asgjë.

Meta, Dezhgiu e Lleshi janë historianë por termat që përdorin i përkasin letërsisë artistike. Fjala bie, po ti lihej dorë më e lirë këtyre tre kopukëve, Revolucionin Demokratik të Qershorit mund ta kishin përkthyer shqip-ship si “Gjahu i Papritur i Kunadheve”.

Pavarësisht se gjatë këtyre ditëve ka patur mjaft polemika për interpretimet e historisë së viteve të fundit, madje edhe dëshmi se libri përmban pasaktësi në data e emra, beqirët këmbëngulin se gjithçka është tërësisht korrekte dhe e mbështetur në fakte. Beqirët me në krye Beqirin këmbëngulin edhe pasi kryeministri uli kokën e pranoi shkeljet e bëra në tekst. Beqirët e ngritën më shumë zërin se sa ministri Tafaj dhe pse ky i fundit tha që teksti “Historia 12” do të shkojë për ribotim me ndryshime dhe me ndërhyrjen e ekspertëve të tjerë të fushës. Ka mundësi që beqirët të mos i duan as të vetët e të jenë si ai muhabeti që thonë nga Labëria se “po ti kësh miq të prishin punë, e po ti kesh armiq të hanë munë.” E dini pse ndodh kjo kokëfortësi e Beqirit? Jo se Beqiri ka sedër aq të fortë sa mos të mohojë punën e tij por sepse ai kështu është gatuar. Meqënëse e hoqën prej leckash si drejtor të Muzeut Historik Kombëtar e në vend të tij vunë Biçokun, Beqiri do të na mbushë mendjen se ja edhe pse më hoqët nga drejtorllëku unë prape jam me ju (PD-në) e se jam i besueshëm pasi kam pasur faktet në dorë. Këto faktet dhe mund ti ketë prishur Beqiri xhanëm ose s’e ka ditur fare ekzistencën e tyre siç ndodhi me maskat mortore të At Gjergj Fishtës, Hysni Kapos e Enver Hoxhës që beqirët e muzeut s’e dinin ç’ishin e ku ishin.

Rraca e beqirëve është e keqe, më besoni për këtë! Arrijnë deri aty sa u thonë nxënësve: s’ju pëlqen teksti? Ballafaqohuni me faktet tona pa lërini pretendimet.

Faktet i ka bërë Beqiri me dorën e tij se Akademia e Shkencave shkoi për fis. Faktet e Beqirit janë të tipit: Shqipëria u çlirua më 28 nëntor se atëherë u shkrua telegrami i urimit; Pluralizmi politik erdhi pasi studentët në 1991 trembën Ramiz Alinë në zyrën e tij dhe në shesh kishin frikë dhe nga qentë e policëve; Protestat e 1997 ishin rebelim komunist mirëpo pas rebelimit komunistët bënë referendum se mos populli donte monarkinë kushtetuese; Haxhi Qamili qe halabak se u hapi bejlerëve depot e misrit e u dha bukë fshatarëve barktharë të Shqipërisë së Mesme etj, etj.

Mua më kanë befasuar gjithmonë Beqirët. Janë njerëz kokëfortë, sharlatanë e qesharakë e të turpëruar qoftë nga emri, ashtu dhe nga puna që bëjnë. Beqiri i historisë më doli me shkollë të lartë dhe ndoshta do ia hiqja kapelen po të mos kishte lënë nam. Beqiri tjetër, ai i Ballukëve, di që është pushkatuar me gjyq ushtarak për tentativë grushti shteti dhe vendosje të juntës ushtarake në vend. Dy të tjerët që njoh kanë pas punuar me skafe në Vlorë e kryesisht trafikonin bija nënash. Beqirin e historisë e njoh prëj kohësh si personazh që kur diskutonte se numri i dëshmorëve nuk është 28 mijë. E tmerrshme! Shumë beqirë i kanë dashur të keqen këtij vendi e indirekt dhe mua. Më ngrejnë nervat, më lënë pa gjumë, pa ngrënë e pa shkuar në leksione. Unë s’di as ç’tu bëj këtyre beqirëve mor Zot. Më transmetojnë gjithmonë rrymën më beqire që mund të ekzistojë në këtë dynja.

Botuar tek numri 2 i GAZETA

10 comments:

Anonymous said...

Ardit, sic te thashe, shkrimi eshte brilant.

Anonymous said...

Goxha bukur, goxha mire, por kujdes nga keta BEQIE, se jo per gje po, viteve te fundit keta jane ne mode.... :P

Anonymous said...

Beqir Balluku paska dashur te vendose junten ushtarake ne Shqiperi?

Mesa di une, atasheu ushtarak sovjetik ne Tirane i ofroi Beqirit te bente grusht shteti kur Enveri, Mehmeti e Hysniu ishin ne Moske duke denoncuar Hrushovin, dhe Beqiri jo vetem qe e shtyu me perbuzje oferten, po edhe kercenoi me shkaterrim ambasaden sovjetike.

Thone qe edhe kur u pushkatua, ishte prej asaj liste te gjate armiqsh qe i priten plumbat duke thirrur : "Rrofte Partia dhe shoku Enver!"

Sa per faktin a jane 28 000 deshmoret, tashme eshte stabilizuar se ky eshte nje stilizim i propagandes, per te perputhur numrin e deshmoreve me ate te kilometrave katrore.
Entet qe kane numeruar varret ne varrezat e desmoreve kane konfirmuar se shifra eshte disi me e vogel dhe ketu nuk ka asgje skandaloze. Ata qe kane dhene jeten per clirim, jane aq sa kane qene.

hakim bej jr

Ardit Rada said...

Beqiri e perdori kete fakt se medemek "ja une te kam ne dore po se bera (kesaj here)"
Pervec kesaj akuze Beqiri, Petrit Dume etj u akuzuan dhe per hedhje te tezave te gabuara ne ushtri dhe literature te gabuar etj. Nejse kjo pjesa s'perben interes per mua o Hakim Bej. Jr.

Me vjen mire qe di numrin e sakte te deshmoreve pasi thua se "jane aq sa kane qene!"

Po sa kane qene a s'ma thua? Si nuk late ngjarje e shifer historike qe te mos e cilesoni propagande? Po ne ku ta gjejme o derman qe te mos jene 28 mije. Mundesisht te mos jete vrare askush. Entete qe paskan numeruar varret na thone se qenkan disi me pak. Po sa o Hakim? 27 834? Apo 12 227 ? Po jemi dhe njerez me shkolle dhe e marrim me mend se su sollen te tere deshmoret ne varret me granit e mermer. Po sa ka qe i ka fshire bomba nga faqja e dheut e su eshte gjetur as nam e as nishan? Pse po te ishim bashke shoke çete e une te vritesha ne maje te Korabit, do me ngreje ne kurriz e do me sillje tme varrosje ne Tirane? Po te na kishin vrare te dyve, kush do e merrte vesh ku na kane varrosur apo hedhur gjermanet?
Entet qe numeronkan, edhe thone qe ska asgje skandaloze po edhe thone qe shifra eshte e rreme...E tmerrshme po aq sa Beqiri me shoke!

Anonymous said...

Ardit, kete shkrim ia drg. edhe nje mikut tim, nipit te Enverit. E lexoi dhe te pergezon per shkrimin.

Ab.

Ardit Rada said...

Ab, thuaji nipit te Enverit te shkruaje vete!

Anonymous said...

Ardit

me je drejtuar mua, nje te panjohuri, ne shumes duke me numeruar bashkerisht me nje grup njerezish qe e paskan zkon te sfidojne shifra e fakte.

Une i shkreti duhem gjykuar per aq sa ofroj ketu, jo per aq sa perfytyrohet se mund te kem ofruar zakonisht, sepse kjo nuk vertetohet dot, po nejse.
E rendesishme eshte qe te nenvizoj nje fakt te vockel.

Ti po merr e po kritikon nje liber te gabuar historie, ku pushteti i vitit 2009, perpiqet te beje te zezen te bardhe, apo dicka e ngjashme. Sot ti, por edhe kometatore te tjere ne nje dyzine tjeter gazetash keni mundesine ti beni gjyqin librit dhe autoreve (qofte edhe duke i degjeneruar ne instanca te tilla pa lidhje me profesionin, si psh mbiemri). Kurse para 30,40,50 viteve, te vertetat dhe shifrat qe ofronte pushteti nuk mund te kontestoheshin dot: ndonje kriminel qe pati rastin ta bente kete, iu dha denimi i merituar.
Manipulimi nuk vinte vetem permes aplikimit te tabeles se shumezimit tek shifrat e fitorjeve: pervec mashtrimeve me shifra, te ftoj te shohesh ne fondin e tradites edhe foto te retushuara, ku eshte aplikuar pjesetimi ne vend te shumezimit (shembull: fotoja e Marubit ku neve per disa dekada na figuronte i vetem Enveri duke mbajtur fjalim ne ballkon ne Shkoder, kurse ne fakt poza origjinale perfshin edhe Anton Harapin, Hafiz Tarin e nje dore burra te tjere, qe jo vetem me retush, po edhe fizikisht i zhduku po ky Enveri qe servirte edhe shifrat e faktet qe perdorim apo kontestojme ne sot)
Insistimi i lavderueshem per te kontestuar shifrat dhe faktet qe ofron pushteti i sotem ne kushte lirie relative, duhet te na beje pak me te vemendshem per te hulumtuar edhe mbi fakte e shifra qe kane imponuar pushtete te tjera, ne nje kohe roberie relative. Sepse pushteti eshte perhere represiv e manipulativ, po sidomos eshte i tille kur vete e shpall me krenari se eshte diktature.
te vertetat historike qe na vijne te servirura nga pushtetet, pa u konfirmuar nga rruge te pavarura, mbeten perhere te kontestueshme, me definicion. Per sa kohe qe shifrat, ne kete rast, per numrin e deshmoreve jane ofruar prej nje pushteti te ndertuar mbi monologun dhe propaganden, kontestimi i tyre sot prej burimesh te ndryshme do marre ne konsiderate deri ne prova te pakontestueshme fizike per falsitetin e njerit prej varianteve.



Respekti qe kemi per deshmoret nuk ka lidhje me numrin e tyre. Edhe vleresimi qe kam per stilin tend, serisht nuk me pengon te te kundershtoj ne dy tre pika. pune te mbare Ardit

hakim bej jr

Ardit Rada said...

Hakim Bej JR.
Je i vetmi njeri serioz qe ke replikuar me mua ne lidhje me shkrimin keshtuqe te falenderoj.
Nga ana tjeter, as kam marre persiper e as do marre ndonjehere qe te mbroj gabimet e Enver Hoxhes. Ne lidhje me keto mundohu te gjesh fjalimin e vete Enverit te mbajtur ne Mat ne 1964 ose 1974 se nuk me kujtohet saktesisht per momentin.
Gjithesesi, mendimi yt dhe ajo cka ke thene mesiper mund te behet nje shkrim dhe analize shume e mire. Me pelqen ajo qe thua e mbi te gjitha krahasimet e perdorura.

ps: pres nje shkrim te mire nga ty per numrin e ardhshem te gazetes :)

Anonymous said...

Ardit,

sot hapa blogun tuaj, pas disa ditesh mungese. Te falenderoj per shkembimin qe mundesove ketu dhe te uroj me te miren. Kam kenaqesi te vazhdojme dialogun ketu (ose gjetke) me ty e gjithe koleget e tjere te Saktivista-s.

se shpejti

hakim bej jr

Ardit Rada said...

Hakim mund tme kontaktosh arditrada@gmail.com

Post a Comment