Thursday, June 18, 2009

Shënime mbi vdekjen e panatyrshme



Shënime mbi vdekjen e panatyrshme
nga Arbër Shtëmbari


Para ca ditësh, ndodhi një vrasje në Qerret. Dikush vrau dikë. Nuk vonoi shumë që kjo vdekje të mediatizohej dhe të interpretohej si një vrasje politike. Zoti Xhaferri tha : «Strukturat e Partisë Socialiste po e godasin fushatën ». Ndërkohë që e majta e konsideroi si një vrasje të rëndomë që nuk kishte prapaskenë politike. E gjithë kjo përplasje deklaratash u shoqërua me dhjetëra kronika e artikuj në shtypin e shkruar. Dhe vdekja kërkon të ketë një kuptim. E nëse s’ka, apo nëse duhet, atëherë do ti japin një kuptim kompetentët e fushës. Ata që trajtojnë seleksionimin e vdekjeve. Sikur kjo vdekje në Qerret të kishte ndodhur kohë më parë, kjo s’do të përbënte lajm. Por në një demokraci është krim të vdesësh në kohë fushatash. Për vdekjen në fjalë pati shumë spekullime. Pse vdiq ? Si vdiq? Kush ja dha vdekjen ? E pranoi apo e forcuan të pranonte vdekjen ? A ndoshta, e zgjodhi vetë ? Me gjithë arsyet e shumëfishta, një i vdekur ngjall dyshime në një demokraci. (Besoj se ende shumë shqiptarë kanë dyshime mbi vdekjen e Kosta Trebickës.) Në demokraci vdekjen ta peshojnë me kandar. Sa vlerë ka vdekja ? Një shoqëri zbulohet nga mënyra si ajo i trajton të vdekurit apo prej kuptimit që ajo i jep vdekjes në përgjithësi. Në fakt, tek ne, është për tu theksuar, se të vdekurit trajtohen më mirë se të gjallët. Madje disa, që s’e kishin menduar kurrë në të gjallë, postmortem, janë bërë heronj.

Vdekja do të mbetet një enigmë e përjetshme. Enigma dhe dhimbja thellohet edhe më, kur vdekja vjen para orës legjitime biologjike. Kështu tek « Ali Demi », para tre ditësh, ca çunakë nxorën thikat dhe u therën për vdekje. Kësaj vdekjeje ju dha shansi të transmetohet në media, pasi ishte vdekje e panatyrshme, ndërkohë që mijëra të vdekur nga pleqëria çdo vit shkojnë në heshtje në botën tjetër. Pyetja që shtrohet është : ku qëndron interesi i transmetimit të lajmit që Bekim L. nga Laçi goditi për vdekje me sëpatë të shoqen në gjumë ? Përderisa e transmetojnë anë e mbanë në media, duhet të ketë një interes të përgjithshëm dhe të përbashkët. Me siguri, nekropsia mediatike do të pohojë, që ky transmetim bëhet që të ndërgjegjësohet popullata ndaj krimit. A thua kësi lajmesh do të ndërgjegjësojnë popullatën ndaj krimit ? Por të largohemi për një çast nga morali i vdekjes. Ajo që na intereson është përse përzgjidhet kjo vdekje dhe jo një tjetër? Pa shtruar asnjë hipoteze, vërejmë që ka një klasifikim mediatik të vdekjes, një metodologji e pashkruar e vdekjes që praktikohet nga mediarkët. Ky klasifikim ndërthur variabël të ndryshëm, jo vetëm moshën. (Një adoleshente hidhet nga gati i gjashtë përbën lajm – iksi, 82 vjeç që vdes nuk përbën lajm). Në këtë klasifikim simbolik, përfshihen dhe klasat. Kush tha që lufta e klasave ishte vetëm për të gjallët ? Kështu kur një biznesmen, një deputet apo qoftë dhe anëtari i një partie, vdes, ky fakt kap titujt kryesor në media, ndërkohë kur vdesin shqiptarë të tjerë të papërzjerë në ndonjë hierarki administrative, financiare apo politike, këta nuk përbëjnë lajm. Vdekje të pasurish kundër vdekje të varfrish. E para një eveniment, e dyta statistikë. Vdekje me vlera të pabarabarta.

Ka një intrumentalizim të vdekjes. Çdo ideologji e përdor vdekjen në shërbim të interesave të saj. Në botë për shembull, ndodh që ShBA kritikon Kinën për ekzekutimet me vdekje ndaj kriminelëve, Kina denoncon ShBA për të njëjtën gjë. Ne, duke qenë se jemi nga krahu ideologjik i ShBA’së, vdekja në Kina na duket kaq e përbindshme. Ndërkohë që është po e njëjta vdekje, vdekja ngjyrohet sipas mentalitetit qeverisës. Kur Fuko përmend biofuqinë, ai shpjegon sesi shteti krijon masa sanitare për të normalizuar shoqërinë: për të mirëmbajtur jetën, shteti ka të drejtën të japi vdekjen. Riprodhuesit e kësaj norme, janë mediat, të cilat shteti i mirëmban dhe i ka dekretuar si teknikisht të afta për të përcaktuar se cila vdekje duhet të marri një kuptim dhe cila vdekje duhet të konsiderohet si thjeshtë e rëndomë. Ka një përgatitje alkimike të vdekjes; ajo duhet të ketë efekt në masë, të prodhojë emocion etj. Një vdekje duhet të shoqërohet me mortifikim masiv të popullatës. Ky mortifikim, është pjesë në një rituali religjioz që krijon lidhje sociale midis individëve, që krijon komunikim, spektakularizim, përulje. Është një matricë që prodhon emocion tek njerëzit të cilët e konsumojnë, ashtu siç ndodh në çdo vend kulti. Besimtarët mblidhen rreth ekranit, që mishërohet dhe shenjtërohet si trupi i të vdekurit. Ikonizohet vdekja. Këtë e vendos klerikatura mediatike.

Para ca ditësh, ndodhi një vrasje në Qerret. Dikush vrau dikë. Nuk vonoi shumë që kjo vdekje të mediatizohej dhe të interpretohej si një vrasje politike. Por, mediatizimi i kësaj vdekjeje, e përdhosi vdekjen. Për një grusht para ka njerëz që shesin/blejnë lindjet, ka të tjerë që kanë shitur/blerë jetën, por ja që paska dhe nga ata që e shesin/blejnë vdekjen. Me sa duket, paska qenë e thënë, s’di se ku, që jeta duhet në një farë mënyre të parashikojë drejt fundit të saj, një përçudnim. Asgjë për tu çuditur – vdekjet e përçudnuara janë pjesë e spektaklit.

4 comments:

Anonymous said...

o arbri. cuditem me ty se me ke krijuar pershtypjen qe je djale me mend. cdo me thene kjo qe te vdekurit trajtohen me mire se te gjallet. vdekjet jane pjese e spektalit, ikonizohet vdekja, klerikatura mediatike. ore je ne terezi ti, apo te ka zene efekti sere. nuk e instrumentalizon media vdekjen o babuc, por politika. sa per vdekjen, duhet te flasesh me kujdes, se flitet per jete njerezish. edhe e thua vete oren biologjike, edhe ben arsyetime banale per mediat. vdekja e pazakonte eshte lajm. e japin sepse ne kete vend ka shume si keto. jepen perdite nga dy e nga tre.ne vend qe te ngrihesh ne mbrojtje te jetes kunder ketij genocidi, harxhon fryme, inteligjence, elokuence me nje gje qe nuk te con askund. nese ke pak zemer, ajo duhet te te dhembe, sic me dhemb mua. mekanizem i rende eshte ngritur. duhet cmontuar. hajde tung. na i fal tonalitetet. pres shume nga ju, shume fare.

Anonymous said...

flash news:
1. "ore je ne terezi ti, apo te ka zene efekti sere"
2. "sa per vdekjen, duhet te flasesh me kujdes, se flitet per jete njerezish." (kjo ishte gjigande)
3. "vdekja e pazakonte eshte lajm. e japin sepse ne kete vend ka shume si keto". Kjo ishte perle.
4. "pres shume nga ju, shume fare" a thua?

E kenaqe babucin me kete koment. Babuci te fton ti hedhedh edhe syrin tjeter shkrimit. Te siguron qe pergjigjet e pyetjeve ndodhen ne shkrim. Te paça!

Anonymous said...

e po sa shaka e madhe ka plasur. po e lexova shkrimin nja pese here. intelektualizem i semure. njelloj si ata nxenesit qe u thone se duhet te bejne nje tregim me pese faqe, dhe ata te shkretet nuk qullosin dot as pese rreshta. si mund te shkruash ashtu: ka njerez qe shesin e blejne vdekjen. ore ketu kjo po ndodh me te vertete. po ti ndoshta atje ne france te duket si trillim i medias. nuk e kuptoj cdomethene me kete qe media percakton vdekjet me kuptim apo pa kuptim. njeriu nuk del ne lajme kur i ndodh si Lonit: Loni hengri buke e fiq e vdiq. po ketu del ne lajme kur ta presin lulen e rinise me thika. cfare media duhet te fshehe te verteten.mos e merr me humor, se une te pakten kam disa vite qe merrem me kete pune dhe skam fituar ndonje lek. jam i pari qe e kam denoncuar kete menyre vdekjeje teper te lehte. po nejse. kur je ne france edhe hena te duket ndryshe. nuk gjeta asnje pyetje ne tekst, thjesht disa konstatime te shkulura nga konteksti real, ca faktologji qe skane asnje lidhje me temen ne fjale (ku USA ku ne) e keshtu me radhe. e paraqet lajmin e vdekjes se adoleshentit si nje gje qe pritet te ndodhe. ska media asnje rol ne kete pike qe ti shtron. mund te kete hynere te tjera, po jo kete. ushqim per krokodile eshte. ca te te them une. bej shkrime. ERION KRISTO (ate anonimen e shtypa kot se mendova qe ishte nje linje si live, me falni per injorancen afatshkurter(.

Arbër Sh said...

Erion mirembrema, ishte me mire ai komenti yt i pare, kishte me teper seriozitet. Po shoh henen tani,dhe vertet,kjo hena qe shoh une eshte shume me e ndryshme nga ajo qe sheh ti. Lexohemi mik. Pershendetje. Arber Shtembari

Post a Comment