Friday, June 19, 2009

E majta

E majta


Andi Kananaj

shira për tërkufizuar të “majtën” më lindi dje pa ndonjë qëllim të mirëfilltë politik. Shkak u bë im atë që në një darkë me pjesemarrjen e jashtëzakonshme të kushërinjve te mi nga Vlora dhe eskluzivisht për ta, tregoi se për pak unë do kisha përfunduar majtosh, sikur kjo të ishte një sëmundje pa shërim. Historia ishte nga me te thjeshtat. Gjyshja ime e mirë, pa asnjë arsye ideologjike të evidentuar, as atëherë e as më vonë, më mbante nga dora e djathtë. Kaq. Mos përdorimi i këtij segmenti trupor bëri që unë pa-vetëdije të vija në përdorim dorën e lirë, kjo deri sa më zbuluan sigurisht. Duke ma vënë kufirin tek e djathta, une më pas u bera qytetar përsëmbari, si gjithë të tjerët. Gjatë tregimit kujtova me keqardhje kohën kur kisha lozur volejboll se si sulmues “sallaks” ndoshta do kisha patur më tepër fat. Pak e dinë që blloku i ngritur prej djathtoshëve si unë është i papregatitur për këtë lëvizje sa naive aq dhe të paparashikueshme. Këtu fillon dhe mbaron seria e sukseseve të së majtës nominale. Kjo histori e papërpunuar, e me vlera veçse afektive, komplikohet nëse kupton që treguesi është komunist që ndjen peshën e kahut të vet dhe kur tregon përalla me mbret. Kuçedra-kafshëz sigurisht ishte e majta evidente, dhe këtu. Sulmonte monarkinë e ndonjë mbreti Zog, që nga vetja ishte fluturak i djathtë. Në ikje e sipër siguronte që pasuria ta ndiqte nga pas.


Fati i dy kaheve, të majtës dhe të djathtës në kohezion dhe besëlidhje të fortë me njëra-tjetrën që kur në mënyrë tepër naive u ndanë (gjatë revolucionit francez, për rastësi vendosje hapsinorë tejet të rëndomtë) në vendin tonë ishte më shumë se thjesht antagoniste. Përplasja i këtyre dy kaheve ka qënë në të gjithë kuptimët për jetë a vdjekje, duke shtyre ligjeratën mbi pozicionimet politike në ekstremitete eksperimentale. E majta që deri në vitin ‘90 ishte e mira e padiskutueshme, pas kësaj kohe u kthye në një mallkim të vazhdueshëm. Fati i të djathtës ndoqi itinerarin e kundërt, duke i marrë të majtes jo vetëm lavdinë por dhe duke i përdorur dhe fjalorin. Vetëm në letersinë fanta-politike mund të parashikohej një kapercim i tillë duke mos ndryshuar asgje nga teknikat mediatike, dhe logjika përshkrimore. Pa dashur të zë anë, shoh se komunikimi i informacionit i ideologjive, në sasi të tillë i degraduar e i copëzuar bëhët me të gjitha gjasat që masat e gjëra ta kenë të pamundur marrjen e mesazhit.


...


Duke parë hapsirë të lirë e të marketuar djathtas, dhe partitë e majta e panë të udhës të migrojnë drejt k’saj “toke pjellore” duke u justifikuar këtë zhvendosje aspak të natyrshme me kërkesat e raportet e huaja zakonisht pa emër, apo aq më keq me tendenca pragmatiste te Kryetareve te radhës. Metaforat parazgjedhore mbi pozicionimin aktual të idologeve “Left” janë me dimension kohor. Në dukje tentativa për të vënë kritere fizike, ka dhe nuanca shkencore. Por empirizmi është tejet siperfaqesor ashtu si dhe vetë gjetja elektorale. Zhvillim ekonomik është tog-fjalëshi që tenton të fshehë mungesën totale te një vizioni të ngrënshëm. Duke futur në lojë letërsinë dhe dimensionin e kohës, retorika ndan të rinj nga të vjetërit, progresitët nga konservatorët. Në ndryshim nga vendet ku ndarja ideologjike ka karakter historik dhe historia ka arsye për tu marrë seriozisht, të djathtët janë tradicionalistë. Përkundrazi tek ne djathta(kupto ideologjia) sjell shpresën për ndryshim. E majta do sjelli ndryshim por të djathtë. Reforma radikale në ekonomi. Ky është premtimi. Pse do na duhet një e majte e maskuar si e djathtë, kur kemi një të djathtë që merr persiper këtë rol? Kush do të jetë funksioni real i të majtës se denatyralizuar? Për të shmangur ndonjë humbje eventuale pozicionesh e votash, se vetëm për këtë është menduar, retorika përqendrohet tek rruga e trete duke shmangur përfundimisht konfrontimin e ideve që të paktën në libra pozicionohen qartazi. Nuk është profeci të thuash se e majta aktive në shqiperi dhe për ca kohë do të mohojë cdo lidhje organike të sajën me idelogjinë nga ka lindur. Kjo tentativë nuk vjen si deshirë për tu vetdënuar, por është rezultante e menyrës sesi është kuptuar kriza e fundit të viteve 80. Duke qënë se as vendet e Lindjes nuk gjetën teknika për të shmangur krizat ekonomike, ato u përballën me dizavantazhin e asaj kohe me vendet e Perendimit të botës. “E turpëruar” ne fundin e viteve 80 e majta shqiptare ka kuptuar përshtatjen me atë që quajmë perëndim, si detyrim për tu konvertuar në të djathtë liberal. Në emer të një iluminizmi që nuk e realizuan dot, të majtet po pranojne si provë të purifikimit këtë ndryshim radikal, kjo sigurisht dhe në emër të pushtëtit për elitën e majtë. Elitat e majta....cfarë shpikje vetëm e jona.


....


Diskursi mbi ideologjitë në Shqiperi nuk tenton përkufizimin dhe ri dimensionimin e të majtes si koncept, por thjesht fajesimin e ish komunisteve, që si historia tregon nuk ishin shtylla e vërtetë e pushtetit aq shumë të anatemuar. Ky itinerar është dukshëm i përzgjdhur me kujdes për të lehtësuar punën konkrete te formacioneve real politike aktuale, që në këtë formë nuk i detyrohen asnjë grupi identitar për besnikëri. Tendenca është për shtyrë djathtas sa më shumë. Këtë e kupton dhe në logjikën e të përditshmës kur me zë-këputur dhe pensionistët ankohen se në këtë vend nuk ka patur kurre një të djathtë të vërtetë.(Sikur dikush ti tregonte se kjo mund ti linte dhe pa pension). Propaganda për të bërë të besueshëm një treg të lirë sa utopik, aq dhe të rrezikshëm për jetën e qytetarit të thjeshtë shqiptar ka funksionuar më së miri. Askush nuk ka tentuar të kuptojë se cili nga produktet shqiptare do ti rezistonte një tregu të sofistikuar teknologjik. Gjithë sa janë mjaftuar ka qënë informacioni sa fillestar dhe primitiv mbi pronën dhe shenjtërinë e saj. Kompleksi ndaj historise po bën që liderat e te majtes te tentohen nga zgjidhje te lehta, duke lehtesuar shumë dhe aktivitetin e të kundertës se tyre.


Duke mohuar aryset e barazisë, duke rrëzuar si për lojë dhe një herë bustin e ish Diktatorit, e duke rrëshqitur djathtas mbi të gjitha e majta po rrezikon të humbasë më shumë se një palë zgjedhje. Ajo po rrezikon të ngelet si model në tentativë i pragmatizmit naiv, e të pa-kuptuar nga masat prej nga merr legjitimimin.

2 comments:

Anonymous said...

Edhe une e dua shume gjyshen time :-)

Ba Bái said...

Nëse doni të lexoni një përkufizim jo shumë të hijshëm, nga ana politike, që i kam bërë së Majtës atëherë mund të lexoni shkrimin tim « Majtas apo Djathtas » (këtu: http://rrumpalla.blogspot.com/2009/06/majtas-apo-djathtas-njishtas.html ). Pastaj sa për gjyshet, kjo është një çështje krejt tjetër. Edhe derrkuci Çufo e kishte një të tillë! Të mos kapitalizojmë mbi gjyshet. Larg duart nga gjyshet! Të mos i ngatërrojmë me politikën!
Edhe diçka të fundit... nga mënyra sesi po shkojnë zgjedhjet, duhet t'ja kisha vënë shkrimit tim emrin « Djathtas apo Djathtas! » Mbeçi me shëndet!

Post a Comment