Wednesday, April 22, 2009

O njeri, më duhet një lugë.

O njeri, më duhet një lugë.

Andi Kananaj

Mendja është një instrument i çuditshëm. Të bën shaka herë pas here që ti vetë nuk do t’i dëshiroje. Ja, psh. unë jam i majtë i vet-shpikur, e i vet-shprehur në të gjitha mënyrat që njoh tek të njohurit e mi pa asnjë përjashtim ideologjik. Po atehere pse vallë nuk po bie dakort me slloganin “taksa e votës”. Dua, po nuk po mundem të kaloj në anën e duhur… ndoshta për mizantropi akute.

Dimri për fat nuk ishte i gjatë, por kriza duket sikur ftoh dëshirat e shqiptarëve për të blerë ndonjë gje-send më shumë. Thithin ajër me beton-pluhur, se tjetër nuk ka. Shpojnë shtyllat e elektrikut me tela të varur rënde rënde, se ndryshe nuk do të mund të shohin në lajme, që janë të varfër. Ahh… më duket se jam “i vetmi” që mendoj se një shqiptar që s’ka të hajë, është më i varfër se një shqiptar që nuk voton dot. Duhej një parathenie letrare apo jo, se kush jam unë që të shkruaj pa parathënie me fjalë të përzgjedhura.

Një miku im më ftoi të shkoja e të mësoja salsa. Unë, si qenie e kompleksuar nga vrulli i të tjerëve refuzova. U ula dhe duke tentuar të bëja një refleksion mbi veten, fillova të shoh lajmet. Sipas radhës, renditeshin familje të varfra që nuk mund të blinin dot kartën e identitetit. Nëse punon gazetar, të mësojnë që një njeri i varfër, për arsyen e vetme që është i varfër nuk mund të jetë lajm. Ka shumë të tillë. I shohim perditë dhe nëse rrotullojmë kokën pa itinerar nga mosdashja. Duhet një detaj që ta bëjë të rëndësishëm. Cinike. Cinike gjithashtu që një qytetar në ditë të hallit (i njejti) por që nuk mund të votojë për shkak të kartës së identitetit, me çmim 1200 lekë (aq sa buka e 20 ditëve), merr “vlerë” dhe del disa herë në të njëjtin edicion. Ka kokën e lajmit, ka titrat, ka intonacionin e duhur, dhe si pa të keq ka në dispozicion një staf me të gjithë kohën e dritave që ai vetë “i merr hua” nga shtylla. Po ku ishin dje televizionet, që sot po qajnë për të? Politikani që del më pas, ku ishte një ditë më parë? Po sikur me kartë në dorë, në atë derexhe të sëmuret, kush do paguajë? Nëse me kartë në dorë do t’u duhet të paguajnë për fletoret e fëmijëve që duhet të shkojnë dhe në shkollë, do kujtohet njeri? Aty kur uria e kap në mes të natës, do ketë titra, apo i duhet të presë datën 28 qershor, që të jetë pjesë e ndonjë ndryshimi për të cilin s’ka informacionin më të vogël? Sa shumë ngjajnë këta njerëz me një kategori mëkatarësh të detyruar të paguajnë për një zot që i ka harruar përfundimisht. Grekët kishin zotin e tyre të mençurisë e të luftës, zotin e detit, zotin e dashurisë... Neve pas-ilirëve do na mjaftonte Zoti i Politikës. Një Zeus gjëmues, për ÇDO DËSHIRË. Duhet ta mbajnë shpirtin gjallë deri në zgjedhje, që të paktën fajet e djeshme t’u falen.

...

Opozitarët po presin me optimizëm të sinqertë, gati në përcëllim ndjenjash. Shpresat me vektor nga Pozita i humbën, e sytë i kanë të drejtuar me entuziazëm të sinqertë nga qielli, dhe se kryetari i kësaj here është tepër i gjatë.

Beso ç’të të thotë zemra,

...nuk ka garanci nga qielli.

Nuk ka prishje qejfesh, se fjalët e piktorit duken fjalë të dala nga zemra. Nuk ka pse të vihet në dyshim, që ka një program 1000 fletësh. Një parti me 50 mijë anëtarë mund të bëjë dhe më shumë. Kaç Myftaraj (autor fantapolitike), po qe se duhen shembuj, mund ta kish shkruar i vetem. Sikur vetëm thashethemet e oborrit të partise të traskriptonin, do ndertohej nga e para një bibliotekë kombëtare. Po ku janë premtimet, që si kuran po presim me aq ankth? Me siguri po redaktohen, që ne ta lexojme pa gabime drejtshkrimore, me “ë” dhe “ç”, siç i ka hije një populli që do bëjë hapin e madh, përtej tranzicionit. Jam i bindur që plani i madh 4 vjeçar, që do të na transportojë në vitin 1405 (fundi i mesjetës sipas historianëve) do të jetë më i miri i të gjithë kohërave. Dua ta lexoj me një frymë si nxënës i zellshëm. Se do na duhet ta lexojmë të gjithë, apo jo? Se do na duhet të gjithëve të bëjmë pjesën tonë, kur dielli të agojë, deri nën shkëlqimin e rubintë të yjeve në ditët e “post-zgjedhjeve”. Duhet të jemi të gjithë të përfshirë, e nëse jo...

Veç po qe plani kaq gjenial, që si një perpetuum mobile, të auto-realizohet, e nga lart të vijë mrekullia aq e pritur. Ndoshta me pak vullnet do na zevendesojnë me “Nordike”sa barbarë, aq dhe punëtorë, meqë një thënie e vjetër ka profetizuar se nuk mund të bëhet Shqipëria nga shqiptarët. Pra të kalohet me elegancë nga një idiotësi... në realitetin magjik. E nëse ka një plan të tillë kaq të menduar, do na duhet të presim për programin një mijë faqesh, të paktën derisa të na e perkthejnë nga Gjermanishtja si dikur librat e Remarkut. Sa të bukur librat e Remarkut. Kot nuk nisa të mësoja salsa, ndoshta bija pak në peshë.

...

Program

Nga malet e larta e fushat e gjera, fati po u sjell shqiptarëve plot ushqime të mira. Bukë misri të ngrohtë me misër kanadez, peshk te tymosur nga deti ynë por të peshkuara nga peshkarexha italiane, tranguj e domate në kuti ndihmash, mish nga argjentina të pa klasifikueshëm, patëllxhane dhe patate të modifikuara nga shkencëtarë të huaj.

Një politikan serioz: do qëndroni këtu, do hani çdo thërrime të kartës së identitetit, pastaj do largoheni ku të doni.

Një qytetar: Po spitale do ketë?

Një politikan serioz: Ti do që të them po...?

Nje qytetar: Po

Politika na ka mësuar se asnjë premtim nuk është i turpshëm. Asnjë pozicionim nuk është i gabuar nëse në fund fiton. Lëre mendjen të jetë një strukturë neuronesh që hallakatet në mendime, por gjithmonë me zë të ulët. Vetë, duam s’duam jemi pengje të rrotës se fatit. Duhet ti bindemi vullnetit të politikanëve. Duhet të durojmë, të përdridhemi si tinguj gajdeje, të jemi kurdoherë modestë dhe të pafuqishëm. Nëse natyra jote është fikur dhe kur të vjen të ndezësh boten, atëherë bëhu gati për suksesin.

5 comments:

Arbjan said...

o cuc, keni shku shume larg vallai. Aq larg sa ju ka zili edhe sofo. eshte e tmerrshme kjo thirrja per luge, perkunder thirrjes per pushtet (qe ta jep vota) se eshte aq thirrje per populizem saqe une jam i habit qe ndonji berishe nuk ka dale te thote "merrini dhe pa leket kartat, madje votoni per mua se do hani me luge floriri". Ju nuk jeni as te majte, ju jeni bo si ai xhaja i "ca uji i ke dhene gromarit". dreq o pune. dhe mua qe me pat thene gjyshi, gjysh ne vogli qe qe humbje kohe te merresh me ate xhajen, se ai e kish nda menien me te shkul veshin per inat, nuk kishte te bente me ujin qe i kishe dhene gomarit. hic nuk duhet te merremi me kartat. madje berisha duhet te rri dhe nja 20 vjet ne pushtet. ti e meriton ate.

Sol Nocturnus said...

o arbi, nuk eshte njeri kunder kartave, le te jepen falas apo me leke, shyqyr qe po behet regjistrimi.
ajo qe thote andi eshte se po luhet ne menyre jo-etike me ndjeshmerite e njerezve. po evidentohen njerez qe s'kane buke te hane, po nxirren neper media duke thene se ata s'kane leke per karta!!!! epo kjo eshte fushate e pandershme ne drejtim te ketyre njerezve. se ti e kupton qe ai qe s'ka buke te haje ka nevoje per buke, e per shume gjera te tjera para se te flase per karten...
gjeja e dyte eshte puna e programit, seriozisht, se u be boze. Rama po vjen verdalle duke leshuar premtimet, jo po sistem shendetesor me i mire, jo po arsim me i mire, jo po pune per te gjithe, jo po ndihme sociale...etj etj etj. Tani, ky njeriu (qe pritet te jete alternativa ndaj Berishes) nuk po thote se si e qysh do i beje keto gjera. Ka shume rendesin te tregosh se si do t'i besh reformat, qe te lesh te kuptohet qe je force serioze. Dhe se syti, duke qene se keto kostojne, le te na thote dhe kujt i bie barra. Perndryshe i bie qe premtimet qenkan bash si luga e florinjte. dhe po te jete per luge floriri, mire eshte ky qe eshte...

Anonymous said...

O Maznik, une nuk jam kunder kartave falas. Per pjesen ku me kritikoje qe jam ne rolin e personazhi anekdote(i pavertetuar per vjetersine e tij ne menyre shkencore) nuk do doja qe ta komentoja. Do me vinte mire qe shqetesimi per qytetaret e varfer, te ishte kostant dhe i dukshem pertej dites se zgjedhjeve. Kjo dite sado e rendesishme per kalimin nga nje pushtet negativ tek nje pushtet pozitiv, serish insistoj qe te beje dhe kalimin nga dita kur qytetaret shihen si elemente numerik me karakter elektoral, ne ate qe natyra i ka percaktuar...Homo sapiens me te drejta kushtetuese. Beji Sales dhe ndonje tjetri ne qeveri se i ke shok vete. Andi

Anonymous said...

Te fala e kisha fjalen

Kolektivi said...

Me larg se King Lion Park ?

Post a Comment