Derro Prilli
Pesëmbëdhjetëditëshi (pesme’ditchee) i parë i prillit erdhi i lumtur e i begatë për shqiptarët brenda e jashtë kufijve. Pranvera e paraprirë nga Dita e Verës dhe nga Sulltan Novruzi nuk mund të ishte kurrë kaq fatndjellëse se sa ajo e vitit 2009, vit ky që koinçidon edhe me ritualin mistiko-hyjnor që përsëritet çdo katër vjet në Shqipëri, zgjedhjet. Sqarojmë për lexuesin se të dyja festat që i paraprijnë pranverës, pra Idet e Marsit dhe Nov Ruzi, janë festa të popujve vëllezër latinë e persë, të huazuara vetëm në sajë të dashamirësisë së politikës shqiptare që synon ta kthejë në një festë të vazhdueshme (siç ka thënë shoku Astrit Patozi, aspak nën efektin e kërpudhave, “festa le të jetë e përjetshme”) jetën e shqiptarit të thjeshtë, kësaj qenie të prerë për karnevale e për shfaqje manekinësh.
Një muaj si prilli, që fillon me ditën ndërkombëtare të njerëzve pa humor (atyre që bëjnë shaka të tipit “kujdes se të ka rënë veshi”), nuk mund të hynte ndryshe përveçse me këmbën e djathtë. Në datën katër të këtij muaji “Shqipëria hini në NATO”. Kjo do të thotë më shumë siguri, më shumë prezencë ndërkombëtare, më shumë ushtarë, më shumë prezervativë për ushtarët, kallashnikovë dhe paqe në Afganistan, më shumë krenari, më shumë mirëqenie dhe natyrisht, seks më i mirë dhe më i kënaqshëm për banorët e fshatit Kallmet të Lezhës, ku vetë Jozefina prezantoi “të himen” duke cituar Oscar Wilde. Seksi i mirë është një element që pritet të ndikojë në shtimin e popullsisë shqiptare në rajon, sipas motos së nacionalistëve “nuk ka shqipëri pa 50 milion”. Seksi në NATO është ndryshe nga seksi para NATO-s, sepse në radhë të parë i çliron burrat nga ankthi i performancës, duke qenë tashmë më self-esteemed si pjesë e një aleance fituese. Së dyti, duke qenë se meshkujt shqiptarë mund të bëjnë seks si me Kate Holms, si me Carla Bruni-n, si me Arenca Trashanin dhe të marrin të njëjtën kënaqësi, hyrja në NATO, shërben dhe si përmirësues i cilësisë së familjes, pasi shtohet numri total i femrave të cilësisë së parë, që ndikon drejtpërdrejt në aftësitë fotozhenike të pasardhësit.
Në NATO patjetër që hyri disi më vonë edhe këmba e majtë (që tenton të bëhet këmbë e mesit). Rama, kryetari i bashkisë më moderne në Shqipëri, vendosi të tregonte dhëmbët ndaj qeverisë duke demonstruar një numër të madh njerëzish që festonin nën tingujt e Westside Family dhe Valbona Memës. Por kryeministri Berisha nuk përtoi t’ia tregonte vendin, dhe vetëm një ditë më pas organizoi më perfektin e të gjithë mitingjeve të botës, duke i thënë Ramës “rri mbaj vendin, se mitingje bo baba”. Rama thonë se është futur në stres, se njerëzit që ka në staf dinë t’i organizojnë vetëm mitingje e protesta të vogla, e askush s’di t’i bëjë një program (është kuptuar që vetëm ky i fundit mund të thyejë turinjtë e Berishës, i cili i qetë pi lëng ananasi nën blunë e NATO-s). Qershori erdhi, dhe Berisha e di mirë që Rama s’ka ku i gjen njerëzit për të bërë program. Gjumi i Berishës është përmirësuar ndjeshëm, njerëzit që i rrinë pranë, përfshi vetë Lul Bashën që i bën masazh në shpatulla darkave, thonë që tashmë nuk ka nevojë për morfinë. Tani që Gërdecin e harroi dhe opozita e mitingjeve, për Berishën e ardhmja duket e madhe dhe e sigurt. Stafi i ngushtë këshillues i Ramës ka zbuluar gjithsesi llambën e Aladinit, ata kanë planifikuar një lëvizje fituese, një as nën mëngë për kryesocialistin. Këshilltarët e Ramës organizojnë dreka me pensionistë të varfër, ku politikani më i gjatë në Shqipëri shkon e ha me dy kafshata gjithë pensionin mujor të familjes. Kjo, sipas këshilltarëve të Ramës, e përafron kreun e opozitës me personazhet e filmit popullor “Gjuetia e fundit”, e kjo mund të afrojë shumë votues fansa të kësaj vepre monumentale të kinematografisë postdiktatoriale. Në elitat e PS-së menjëherë ka nisur gara mes personave që duan të marrin rolin e Sillos, një rol aq i dashur sidomos për petalet e reja të trëndafilit pink (të zbërdhylur tashmë). Kësaj lëvizje surprizë të Ramës gjithsesi iu përgjigj në mënyrë dinjitoze Saliu, që e nxori nënë Feridenë nga burgu dhe e shpalli kandidate kryesore në zonën e Burrelit (për arsye të pashpjegueshme). Gazeta Zëri i Popullit e komenton këtë ngjarje duke thënë se të burgosur ka plot, dhe ne mund t’i marrim PD-së Gaxhain përshembull. E njëjta gazetë njofton se kryesia e PS bekon hyrjen në NATO, bekon popujt e NATO-s, bekon popullin shqiptar, bekon qeverinë, bekon edhe vetë zotin. Kjo si për inat të së majtës së vjetër që s'i ka patur punët mirë me zotin, por edhe si kopjim i fushatës manjifike të Obamës, një lider i ri që kurrë nuk e shqit zotin nga goja (në PS zotin kanë filluar e shkruajnë si z-ti, duke menduar se kështu fitojnë mbështetjen e lobit cifut, si dhe mbështetjen e Bashkimit Profesional të Imitatorëve Amatorë).
Ngjarja tjetër e prillit është data shtatë, shtatëdhjetëvjetori i pushtimit paqësor italian, që përjetohet me gëzim nga heronjtë e rinj ballistë e legalistë, të cilët me këtë rast ndërtojnë një monument në mes të Durrësit, në emër të miqësisë dhe bashkëpunimit shqiptaro-italian. Te ky monument do të çojnë kurora qeveritarët e opozitarët, ndërkohë që Berisha në emër të kësaj ngjarje të rëndësishme vendos t’i dhurojë italianëve të drejtën për të ndërtuar çentral bërthamor, parqe energjetikë në çdo pikë të bregdetit, TEC-e të teknologjisë të ndryshme si dhe tokë në bregdet. Opozita tund kokën dhe parlamenti voton unanimisht financimin qeveritar të fushatës “Po t’ua kishim falur nuk do na kishin pushtuar!”. Në po atë datë planifikohet grumbullimi i veteranëve partizanë në shëshin Skënderbej, ku do të goditen me shpulla nga anëtarët e FRPD, kryesuar nga Gerti Bo. që dha dorëheqjen nga paradhoma e kryeministrit, pasi deshi të hapte më shumë vende për më të rinjtë. Në vend të tij në paradhomë u fut Erla, e vlerësuar për disa skillse që Gerti i shkretë s’i kishte dot.
Përveç këtyre ngjarjeve të shënuara është për t’u vënë re datëlindja e Elsi Rizvanollit, themeluesit të shoqatës kulturore hispano-albaneze, kushëririt të futbollistit më të famshëm të Peqinit, i emigruar në Amerikë për arsye financiare, mik i ngushtë i Xhorxh Sorrosit, Pedro Almodovarit dhe Fidel Kastros.
Ditëlindjen e ka patur dhe zoti Llukan Tako, autor i një numri të përbindshëm artikujsh të një cilësie të përbindshme. Llukani është i njohur si kontributor në demokracinë e brishtë shqiptare, me pseudonimin “nona e medias së lirë”. Llukani ka qenë i shqetësuar prej kërcënimit të ardhur nga faqja kolektivi.org, një faqe që ka premtuar të thithë ajkën e lexuesve të peshkut pa ujë.
Korça në këto ditë të hershme prilli gjithashtu ka festuar pesëvjetorin e MJAFT-it të Korçës, si dhe ditëlindjen e aktivistit të përgjithshëm Miladin Fili, agjitator dhe organizator i dhjetëra grushteve të shtetit në Bashkinë e Korçës. Ladi me këtë rast është uruar dhe nga Niko Peleshi, që i ka dërguar dy shishe verë të helmuar si dhe dy cigare bar nga ai i miri që pinë vetëm anëtarët e kryesisë së bashkisë Korçë.
Saktivista kërkon falje për vonesën dhe uron shqiptarët për përvjetorin e vrasjes së Jul Çezarit, vitin e ri persian dhe të gjitha datat e shënuara më sipër.
I juaji sinqerisht
Drejtori ekzekutiv i Saktivista
Arbër Zaimi

0 comments:
Post a Comment