Tuesday, March 17, 2009

Lidhja e re e Lezhës, e organizuar ne Lezhë (te ish-zyrat e Mjaftit)

Lidhja e re e Lezhës, e organizuar ne Lezhë (te ish-zyrat e Mjaftit)

Andi Kananaj, Arbër Zaimi, Leart Kola



Shpjegimi i personazheve duhet bërë nga e para, sepse kemi idera të reja(1). Ankthi i madh i të gjithë shqiptarëve që Skënderbeu nuk do kthehej më mori fund me ardhjen në krye të opozitës të qytetarit Rama. Rama si rimishërim i Gjergj Kastriotit mblodhi në Lezhë në 15 mars 2009 gjithë princat e opozitës së vetëshpallur. Në këtë forum të barabartësh (sipas Sainte-Laguë) princat për efekt marketingu vendosën t’i drejtohen njëri tjetrit me titullin qytetar i thjeshtë. Pasi mallkuan materializmin dialektik dhe neoliberalizmin princat vendosën të dilnin tej të majtës, që ishin turqit dhe të djathtës që ishte venetiku. Ata u ankuan se kanë shumë libra po nuk kanë kohë për të lexuar, dhe fajin për këtë ua vunë autorëve që kohët e fundit kanë shkruar shumë, sidomos për të majtën. Në takim ishin ftuar të gjithë princat me përjashtim të princit shtangist, Hamzës nga Skrapari, dhe gruas së tij, M.Golemit nga Dibra.

Në Lezhë princat u akomoduan në kushtet e përvuajtura të lokalit palestër të shokut shtatgjatë të Altin Jakut, drejtuesit të G99 në Lezhë, një njeri i njohur në qarqet masone të këtij qyteti.

Hamzai ngeli i zhgënjyer sepse kishte rreth një muaj që përgatitej për këtë takim, duke pirë vezë të freskëta që të bërtiste. Por Skënderbeu e dinte që më parë pasi e pa në facebook faktin që Hamzai gërthiste shumë.

U ndezën motorrat e propagandës dhe të marketingut, dhe forumi i princave vendosi të përdorë si logo stemën e AMC-së, kështu që Hamzai me rregull përjashtimi zgjodhi Eagle Mobile, dhe e shpalli veten turk i majtë radikal.

Hamzai vendosi t’i mblidhte pasuesit e vet turq tek sheshi që mban emrin e katolikes Nënë Tereza, nën parrullën “Bjordi dil nga Big Brotheri”. Pati zëra që Hamzai mblodhi vetëm tre mijë veta në miting, dhe për këtë ia hodhi fajin Zogbit, si edhe njerëzve që janë homoseksualë në përgjithësi, ngaqë kur kanë qenë të vegjël kanë luajtur me bibilushët e shokëve, pa e ditur që po rrezikonin të drejtën e votës. Dhe në të gjithë e dimë që vota është e shenjtë. U përhapën sondazhet si në rërë tatuazhet tha një shoku i Hamzait, i cili nuk e dinte që tatuazhet nuk bëhen në rërë. Autorët e këtij shkrimi nuk mbajnë përgjegjësi për gjërat që thotë grupi i Hamzait, madje i mirëkupton ata si njerëz të frustruar që në fëmijëri, që ende e konsiderojnë shkencën tabu.

Vëmendjen më të madhe mediatike e mori takimi i princave të Skënderbeut, që kishin marrë në miting edhe familjen violiniste Qerimi, për arsye abronxature, si dhe për të qenë në unison me amerikën. Në fillim Skenderbeu kerkoi te prenotonte Bujar Qamilin, po ate e kishte zënë që prej një viti sulltan Murati II Berisha.

Për Hamzain nuk kishte mbetur asnjë jevg muzikant (2), kështu që vendosi të përdorë Artur Zhejin (3), tani që Gaqua (4) ka formuar parti të re. Turi i vënë disi në siklet jo vetëm që nuk këndoi, po ngatërroi dhe fjalët e fjalimit. Situatën, për fat të mirë të Hamzait, e mori në dorë Xixëllonja e partisë së Hamzait, Zonjusha X (5). Në fjalimin e Zonjushës X. u hodhën parrullat “Bjordi ik”, “Ne të rinjtë themi O sa mirë me qenë shqiptar”, “Më mirë të jesh i veshur me mall turk, po të jesh i sinqertë, sesa firmato por mashtrues, si skënderbeu”, “më mirë 67 si ne sesa 69 si Pangua”, “Partizani do bjerë nga kategoria”, “Arbitër, arbitër ule kokën”. Pyetjet nuk munguan për këtë simbolin e fundit të arbitrit, por Miss X. shpjegoi që meqenëse arbitri qëndron përtej të majtës e të djathtës, është shok me Skënderbeun dhe me Altin Jakun.

Bjordi deklaroi nga zyra e vet që Flor Mima është mashtrues sepse rritja e vërtetë është 9.9 dhe jo 6.9% si ajo e Pangos, ndërkohë që Arbana tha se nuk do të dëshironte që të politizohej ky proçes. Gjithë Big Brotheri ra dakord që seksi është i dëmshëm, ndërsa Bjordi personalisht u shpreh që nuk e dinte që po filmohej, dhe se kjo është dhunim i integritetit. Sulltan Murati ka deklaruar që do të presë katër minuta para se ta nxjerrë Bjordin nga Big Brother dhe ta çojë si ndëshkim te Kafazi ku e pret Edison Ypi me lugë në dorë për t’ia nxjerrë trurin nga hunda (sepse po stërvitet në pritje të ndeshjes finale me Mero Bazen).

Ndërkohë në mitingun e princave opozitarë përtej të majtës dhe të djathtës elementi më i rëndësishëm ishte zoti. Zoti u thirr në çështje si fillim nga SmilingEri99@hotmail.com (6), i cili edhe pse ndodhej përpara një populli të majtë që par definition nuk beson shumë në zot i kërkoi atyre të luteshin. Lutja e Erit u shpërnda dorë më dorë nga ish ushtarakët e Mehdi Pogaçes, dhe konsistonte në këto pika: “O zot bëje Skënderbeun të fitojë, o zot jepi Hamzait vetëm 3%, o zot, na i shto neve ato që ia merr Hamzait, o zot bëji komisionerët tanë sypatrembur, o zot bëj që arredimi i shtëpizës sime të vogël të jetë i pëlqyeshëm nga miqtë e mi dhe nga gazetarët, o zot na shto paret që të paguajmë çifutin, o zot bëj që të dal mirë sot në televizor, o zot më fal për të gjitha ngecjet që kam patur përballë Mesila Dodës. Amen.”. Mbas SmilingEri99 foli Milo (7), jo Venusi, po Paskali, i cili kërkoi të bëhej edhe një herë ministër i jashtëm, se ka kohë pa dalë jashtë me kollajllik. Milo kërkoi që mitingje si këto të bëhen javë për javë, sepse kështu njeh njerëz të rinj, dhe gjithashtu ka mundësinë që të dalë në media, një gjë tepër e rrallë për partinë e vet që ka si shef mediash Artur Duçkallarin që është shitur te Hamzai. Mbas Milos foli qytetari modest dhe i pavdekshëm, Gjinushi (8), i cili mund të zhduket vetëm po t’i gjuajnë me shigjetë në thembër. Gjinushi kujtoi edhe një herë fjalët që i kishte thënë Koçi Xoxe gjatë rrethimit të Tiranës. Xoxe dikur e kritikonte Gjinushin si përfaqësues të politikës së vjetër, ndërkohë që edhe Xhaferr Deva e ka pas kundërshtuar për manipulimin e zgjedhjeve të 44. Gjinushi tha që ai e nuhat fitoren, pasi ishte pikërisht ai që solli në pushtet edhe Skënderbeun e parë, këtu e gjashtë shekuj më parë. Gjinushi e mbylli fjalimin duke thënë “koha kalon por numrat ngelin”.

Në fund fare, pasi mbërriti flamuri gjigand i mbajtur nga treqind kalorës ish jeniçerë të Enver Hoxhës, udhëhequr nga Andis Harasani krenar mbi një kalë të bardhë filloi dhe fjalimi i Skënderbeut vetë, fjalim për violinë dhe orkestër, i shoqëruar në organo nga Kristi Pinderi, violinë e parë Skënderbeu, teksti Jorgo Papingji, muzika Shpëtim Saraçi, orkestrimi nga çifuti, dirigjoi Kaç Islami (i cili shkopin e kishte të marrë borxh). Meqenëse takimi ishte antiturk Kaç Islami e ndërroi mbiemrin dhe u quajt Kaç Kryqtari.

Fjalimi i Skenderbeut fillonte me ritmikën e famshme “Unë jam unë, ti je ti, a po vjen në shpi, të të...”, formulë e vjedhur nga Van Dami, te ai filmi ku Van Dami luan të gjithë rolet, përfshi dhe atë të zezakëve.

Fjalimi i Skënderit vazhdonte: “Lirinë e ka Berisha, por po hoqëm Berishën mund t’ua sjell juve. Katër vjet më parë Tirana ka patur më shumë femra të bukura, tani unë rri dhe trashem me Vali Leskën dhe me Vali Bizhgën. A mund t’u ndërrojmë emrat këtyre femrave që të dalim nga kjo monotoni jeshile (9), nga ky ankth. A durohen dhe katër vjet kështu? (turma u përgjigj joooo, joooo). Katër vjet më parë kishim lekë dhe për shtëpi, dhe për dashnore, tani s’ka më lekë, se ky ka blloku dhe drogën. Katër vjet më parë femrat i takonim në kafene, tani duhet t’i gjuajmë në facebook, dhe meqenëse facebooku ndërrohet përditë, nuk konkludojmë dot. A durohet dot dhe katër vjet facebook?”.

Sulltan Murati II i ndoqi të dyja mitingjet nga lozha e tij lluksoze në bulevardin dëshmorët e kombit, duke ngrënë stika dhe duke pirë kozmopolitan. Në një moment ai dëshiroi të qeraste me tekila boom boom të gjithë pjesëmarrësit, dhe t’i përkëzonte për shfaqjen, por ministri i tij i ekonomisë i solli ndërmend krizën që varet si shpata e damokleut mbi qafat e shqiptarëve. Sulltani propozoi që platformat e Ardit Gjebresë dhe Adi Krastës të zhvendosen të martën paradite, sepse e diela është zënë nga sporti dhe nga mitingjet. Pavarësisht kundërshtimeve të Amit të portokallisë Sulltani mori vendimin që deshi, dhe madje e këshilloi Amin të qëndronte poshtë kondicionerit dhe të hiqte pallton.

Notes

(1) Ide të reja – Si ato të Ramës

(2) Jevg – Element i domosdoshëm i fushatës të çdo partie pas fitores së Obamës

(3) Artur Zheji – I njohur si Turi, intelektual i pavarur, që ka kontribuuar në shkatërrimin e TVA-së, TVSH-së, dhe i ka vënë syrin Top Channelit.

(4) Gaqo Apostoli – Matematicien, SocialDemokrat, Tenor pasardhës i Mentor Xhemalit. Mbahet me lekë nga Meta.

(5) Femër simpatike për moshën që ka dhe për standartet e partisë ku militon. Thuhet që e kanë mashtruar duke i thënë që do të bëhet deputete që 22 vjeç.

(6) Smiling Eri, person thuajse virtual.

(7) Milo, qytetar i pavendosur

(8) I njohur në ambiente intime si vetullbrezhnjev

(9) Monotoni Jeshile – Term Poetik

1 comments:

Blerina said...

Po ky eshte dokument historik...!!! Me teper shoke, po te thoja do e prishnja kete kronike kronikanesh popull...

Nga nje shoqe e cila Kuvendin e Lezhes (2009) e ndoqi nga mediat...

P.S. Po vazhduat te shkruani kesi gjerash, une fundin e kam nga te qeshurat, pak po e sigurt...:)

Post a Comment