Monday, December 1, 2008

Bob Marley, Skënderbeu dhe Barack Obama (Kitsch - Shkrimi)

Bob Marley, Skënderbeu dhe Barack Obama (Kitsch - Shkrimi)


Arbër Zaimi


Mbas atashimit të ambasadës xhamajkiane në Shqipëri (diku pas piramidës), dhe sidomos mbas afiliimit te Klod Burrit me artin reggae, specifikisht muzikën si mënyrë të shprehuri, dhe pas rikthimit te Rubin Beqos në Tiranë menjëherë lindi subkultura e të rinjve të veshur me ngjyrë të zezë, të gjelbër e të verdhë, me rroba të gjera, me xhinse të grisura, e me këpucë Converse, apo siç i quajnë në Prishtinë, “Allstarka”. Lindi një grumbullim i lezetshëm për nga paraqitja, që duhet thënë, i jep ca ngjyra më tepër mbrëmjeve të alkoolizuara në fundjavat tiranase. Vajza të lezetshme veshur me bluza të gjera që gjithsesi nuk i heqin asnjë presje sensualitetit dhe energjisë femërore postpubertariane, dhe djem që tregojnë nëpër veshje e nëpër pirsingje simbole të një rebelimi antisistem.

Ishte e enjte mbrëma, dhe pas emisionit të famshëm në radio 104.6 FM (kjo është reklamë, mos ia vini veshin), shkova për një birrë tek trekatëshi, që tashmë është konfirmuar në bllokun globalist si baza e kulturës reggae, dhe e religjionit politik rastafari në metropolin tonë të dashur. Ambienti ishte i këndshëm. Muzika e mirë, roots reggae, dub, edhe ska edhe klubi qe mbushur përplot me të rinj e të reja, ç’t’ju them. Të kënaqej syri, aq interesant ngjante ambienti i dekoruar nga t-shirts-et që shpallnin hapur mesazhe antipolitike e kundërkulturore. Patjetër, mendova me vete, që duhet të kenë një lloj informimi mbi kulturën reggae, mbi rastafarian-izmin, patjetër që këta duhet ta njohin disi këtë muzikë e këtë art që ndikoi kaq shumë në zhvillimin e ca prej gjinive më moderne të muzikës, por edhe në formimin e shijeve artistike të njeriut të sotëm.

Siç e dini të gjithë reggae lindi në Xhamajkë, rreth fundit të viteve ‘50, fillimit të viteve ‘60. Andej nga ’68, kur bota perëndimore u trand nga lëvizjet e ndryshme antiraciste, antikapitaliste, antiaparteidiste dhe antishfrytëzim, reggae solli mesazhet e veta kundër Babilonit, me theksimin e efektit pozitiv të meditimit dhe spiritualizmit ekzaltues që e çonin përhava shpirtin e njeriut, mesazhe që dolën nga Xhamajka e u përhapën nëpër grupe rebelësh të rinj, që luftonin për më shumë të drejta në Shtetet e Bashkuara e më pas nëpër botë. Kryesisht tekstet, veshjet, simbolet e në tërësi kultura prekin tema të një politike njerezore dhe sociale, flitet për varfërinë, flitet për përjashtimin shoqëror, flitet për luftrat e mëdha për të drejtat, flitet për pabarazinë, flitet për dashurinë. Me një fjalë përshkruhet një mënyrë e të qenit njeri, disi rebele, tek-tuk cinike, ndonjëherë tepër optimiste, por mbetet një mënyrë jetese transparente, tejet shoqërore në pozitivitetin e vet kreativ. Me infiltrimin e kësaj kulture në Shqipëri ama më kot prisni të nisë ndonjë fushatë aktiviste “Legalize it”, më kot prisni të ketë kryengritje e protesta për përfshirjen e të rinjve, për përfshirjen e të varfërve në politika sociale, apo për pjesëmarrjen e tyre në proçese vendimtare. Jo. Infiltrimi i reggae ka ndodhur vetëm në sipërfaqje, vetëm tek veshjet, tek vathët dhe te lëvizjet e valëzuara të kërcimit. Mos vallë të rinjtë shqiptarë, të mësuar me theksin british të anglishtes aristokratike, që e kanë mësuar duke u vërtitur nëpër fusha golfi e nëpër klubet Royal, e kanë të vështirë ta kuptojnë patois-in xhamajkan të Bob Marley-t që këndon Get Up! Stand Up??? Është vallë normale që në mëngjesin e nesërm të gjithë këta rastaboys e këto rastagirls të lënë pas gjithë pamjen e tyre prej raggamuffin, të veshin këmishat me jakë të ngrirë, e të futen pas të njëjtave tavolina zyrash, apo bankash shkolle? Ata që në darkë këndojnë Redemption Song dhe ulërasin Emancipate yourselves from mental slavery... në mëngjes janë të rreshtuar si të gjithë të tjerët.

*
* *

Si në të gjithë vendet që respektohen, edhe në Shqipëri ka atdhetarë, të cilët e quajnë vetveten nacionalistë ose, kur janë të moderuar e tolerantë, i thërrasin vetes patriotë e atdhetarë. Të vënë në siklet nga gjithë rennaisance-a e këtyre shfaqjeve të huaja që u ka ik’ koha, siç është përshembull reggae, apo arti modern, apo kozmopolitanizmi e stuhira të ngjashme në gotë, nacionalistët kanë vendosur që të sjellin në sipërfaqje vlerat e vërteta, trungun estetiko-etik të këtij kombit tonë të moçëm, fisnik, e kulturëdashës. Nacionalistët nuk mund ta pranojnë këtë bjerrje të vlerave tona folkloriko-aristokratike, nuk mund ta pranojnë xhamajkanizimin e vendit tonë arjan. Shyqyr zotit (i cili sipas nacionalistëve për shqiptarët nuk ka qenë asnjëherë i rëndësishëm, edhe pse ka rrezik që dhe ai vetë të jetë shqiptar), pra shyqyr zotit që vetëm një muaj pas trekatëshit dhe angazhimit rasta të Klod Burrit dhe Rub Beqos, erdhën festat e nëntorit. Strategjia e nacionalistëve është e qartë. Ajo fillon nga facebook-u. Si fillim, me rastin e festave të nëntorit vendoset një flamur kuqezi në foto profili. Kreativiteti është i kufizuar vetëm tek mënyra se si është shpalosur flamuri në foto. Por sa pare bën kreativiteti para atdheut? Kreativiteti është shfaqje e huaj!

Pika e dytë e strategjisë ka të bëjë me Skënderbeun. Seç kanë dalë nja dy tre vetë që na paskan sharë nga Skënderbeu. Manuali “The Essentials of Nationalism for Dummies” thotë që në të tilla raste, me kuç e me maç duhet të nisin të diskutojnë e të vërtetojnë me çdo kusht që Skënderbeu jo vetëm që s’ka pasur të sharë, por është i sharë nga robt’ e më gjerë, ai që e shan. Fushata qëllimmirë e vërtetimit fillon nga thellësitë e shpirtit, trajton një herë çështjet e brendshme të nacionalistit, e më pas del e shpërthen në kafene. Menjëherë më pas, me të shkelur në zyrë, fushata e ndërgjegjësimit skënderbeian shpërndahet në formë përmbytjeje masive në internet, nëpër forume e blogje. E më pas, si pasojë e mirëdashjes naive të ndonjë kryeredaktori të pafajshëm, shkon e zë faqet e para të gazetave, nëpër editorialë emrash të bujshëm...

Pika e tretë e nacionalizmit ka të bëjë me gjithçka tjetër, për sa kohë kjo zë kohën e lirë të këtyre njerëzve, që kalohet nëpër tavolina miqsh, apo nëpër shoqërira virtuale. Varion prej diskutimit të tezave të pranuara mbarëbotërisht të origjinës së indoevropianishtes prej shqipes (madje dhe gjuhë semitike si egjyptianishtja e vjetër, apo gjuhët berbere – opo dhe çifutçja prej shqipes vjen) deri tek teza tjetër po aq e vërtetuar që fqinjët tanë në të vërtetë janë shqiptarë puro e të pastër për nga gjaku, por me kalimin e kohës kanë filluar të flasin greqisht e serbisht. Pastaj janë dhe teoritë shkencore mbi arianizmën tonë, që e ka pranuar dhe vetë hitleri (ai me “h” të vogël) që na ka dashur aq shumë sa...

Mos prisni ndonjë reagim prej këtyre nacionalistëve kur mësohet se në Shqipëri sektorët strategjikë e burimet kryesore po i blejnë njëra pas tjetrës biznesmenë të dyshimtë. S’ka reagim as kur mësohet që një pjesë e mirë e këtyre burrave të biznesit vijnë prej këtyre vendeve te armiqve tanë fqinjë (mos ndoshta teza nacionaliste përjashton nga armiqësia vetëm botën e biznesit, dhe e ka të gjithë problemin me popujt e varfër fqinjë??). Nuk ka reagim popullor prej nacionalistëve as për pikat e Ban Ki Munit, edhe pse këto i pikojnë në shpirt gjysmës së “nacionit”. I vetmi reagim qe ai i një grupi organizatash – se populli... i ruajti energjitë për në internet... E kotë të kujtosh parrullat e analogëve të tyre në botë, të famshmen “Get Off My Country!”.

*
* *

Që të sjell një panoramë sa më të plotë, e sa më përfaqësonjëse do qe e udhës që menjëherë pasi u tregova për nacionalistët, të flas për armiqtë e tyre të dhëmbpërdhëmbshëm, të majtët, që nga tifozat e Tironës njihen me pseudonimin “morrat e kuq”. Se në Shqipëri ka dhe kamunistë. Këta, si të gjithë të majtët që respektohen ndahen në disa grupe. Grupi i parë është ai i nostalgjikëve të regjimit. Nga ky grup s’kemi si presim aktivizëm, apo shprehje energjike politike – për shkak të moshës së thyer. Grupi i dytë është ai i të rinjve intelektuale. Këta të fundit, të shkolluar ca jashtë ca brenda kanë rënë nën ndikimin negativ por të pashmangshëm të librave, më falni, të medias, se libra nuk lexojnë dhe aq. Me të parë që çunat më interesantë të perëndimit, ata që shkonin me femrat më të bukura kanë qenë majtas, oburra të gjithë andej, se çoç ka aty. Jo më kot një numër i madh artistësh, shkrimtarësh, aktorësh, shkencëtarësh dhe gjithfarësoj njerëzish të famshëm kanë anuar drejt komunizmit. Edhe Charlie Chaplin ka qenë komunist. Edhe Johnny Depp. Edhe John Lennon. Edhe Maradona, Sartre, Mohammed Ali, Martin Luther King, Papa Gjon Pali II, të tërë këta kështu kanë qenë, të kuq. Dhe shih se ç’sukses kanë patur me femrat. Mos të flasim pastaj për Obamën, ooo sa i mirë është ai Obama, ai është simboli i ndryshimit, ai është njeriu i shtresës së mesme, i arsimuar mirë, i pashëm, model për të gjithë, që do të punojë për të ndërtuar botën e së ardhmes...

Ndërsa grupi i tretë i të majtës është një grup që luhatet mes surrealizmit dhe dadaizmit, është avangarda artistike e politikës. Bëhet fjalë për një grup të ndarë mes dy partish, një grup që qëndron ose sipër të majtës dhe të djathtës, diku afër kozmosit hyjnor, dhe një grup që qëndron përnën të majtës dhe të djathtës, një grup që gjendet kaq pranë hadit, kaq pranë xhehenemit, që aktualisht është duke luftuar për komisioner...

Mos prisni nga të majtët shqiptarë të dalin e të kërkojnë mirëqenie. Mos prisni të dalin me flamuj të kuq e të protestojnë për të drejtat e punëtorëve, apo për të drejtat e të varfërve, apo për të drejtat e të pastrehëve, apo për të drejtat e të pashkolluarve. Të majtët shqiptarë janë shumë të rehatshëm në atë qoshen e tyre prej borgjezi klientelist, që pi një gotë verë në drekë, një birrë në darkë, e që ka shumë më tepër shokë e shoqe se sa ai nacionalisti i mëparshëm (e megjithatë vishet në mënyrë shumë më të mërzitshme e monotone se ata të reggae-s). Askush prej tyre nuk e ndjen nevojën e ndonjë lëvizjeje anti-globaliste, apo anti-kapitaliste. Të gjithë janë dakord me tregun e lirë. Ndoshta as me shaka nuk e kanë menduar ndonjëherë veten të dalin në sheshe e të kërkojnë Punë dhe Shtëpi (kujtoj për efekt inercie parrullën e redskins-ave “Jobs and Homes, not Nationalism”). Dhe janë të rinj. Të rinjtë në Shqipëri në përgjithësi nuk kanë as punë as shtëpi... për të qenë. Por ç’ti bësh, këta janë të majtët tanë të rinj, që mbahen nga prindërit. Marksi? E kush ka nge të lexojë filozofi, pai zotin...!

*
* *

Diku nga fillimi i shekullit XX disa filozofë e kritikë filluan të ndërtonin një sistem dikotomik të historisë së zhvillimit artistik, duke i quajtur ekstremet Kitsch dhe Avantgarde. Kuptimi etimologjik i së dytës është pararoje, por më intereson pak, pasi aq rrallë shfaqet në jetën time tiranase. Është termi i parë që më tërheq vëmendjen së tepërmi. Etimologjikisht ka kuptim të mjegullt me origjinë jidish (gjermano-hebreje) dhe kryesisht përdoret (bazuar tek koncepti i “indiferencës estetike” të Kantit) për të treguar sjellje e performanca të mbushura me romanticizëm e me patos, por të zbrazura nga origjinaliteti, dhe nga thelbi. Termi marksian është “ndërgjegjje false”. Njeriu që i mvesh vetes një elasticitet estetik dhe etik të gatshëm për të përqafuar gjithçka, që nuk ka një qëndrim të vetin, që nuk ka një bazë të vetën për të nxjerrë arsyetimin, pra kitschmensch, në Shqipëri më rezulton specie mbizotëruese. E si mund të ndodhte ndryshe pas hibridizimit të dy kulturave të tmerrshme estetikisht dhe etikisht për ndërgjegjjen njerëzore, asaj të Njeriut të Ri (ndërgjegjjes së tij false) dhe asaj të Njeriut Post Postmodern (indiferencës panestetike)?


Shënim redaksional:
Fjalët anglisht janë hedhur pa kursim, që t’ju ngatërrojnë. Sepse dhe ky Blog është një media, si gjithë të tjerat.

3 comments:

sidita said...

mos analizo kaq shume ne dite festash, asnje s'e di tamam se çfare del te festoje.., megjithese analizon sh mire:)

Gilberto said...

zgjeruese....horizont
Por shume njerez jo se nuk duan te lexojne, por nuk dine me te lexojne, pale te mendojne dhe pale te kuptojne...

Anonymous said...

he shqipe, mbete gjithmone tue lakmue te huejen....

Post a Comment