Alo? Jam Ardit Rada, po dhe me një dorë do t’ia dalim!
Nga një grup autorësh (gazetarë profesionalë)

Ora 04:43 e mëngjesit. Ardit Rada është në zyrë, ulur që në orën 22:54 para kompjuterit të tij me ekran të sheshtë, televizorit me ekran të gjërë 30 inch dhe mikut të tij më të mire, laptopit që i kanë sjellë nga Anglia. Një tis i lehtë dëshpërimi dallohet në çehren e tij të zeshkët, i zhgënjyer siç është nga dështimi më i fundit, ai që pësoi në një takim elektoral në Lushnje. Por një buzëqeshje përvijohet në cepat e buzëve të tij mishtore, i kënaqur kujton me vete një reportazh të suksesshëm që prodhoi gjatë vizitës së tij në qytetin heroik të Myzeqesë, reportazh që ia pëlqeu shumëkush. Me një gjysmëmelankoli intelektuale, nga ato të ëmblat në jeshile, Ardit Rada ngre sytë dhe sheh në murin përballë, të vënë në kornizë, faqen e Gazetës Tema ku u botua reportazhi i tij lushnjar. Nëse ka një moment që Arditi, sa i relaksuar në dukje, aq edhe i paduruar në dukje, mezi e kalon, janë pikërisht këto orët e para të mëngjesit kur e ka të pamundur thjesht të presë në zyrë duke pirë birra të ngrohta e duke bërë chat në Facebook gjersa të pushojë shiu.
Duron edhe gjysëm ore, derisa akrepat shënojnë 05.43, i këput një të shtriqur dhe një gogësimë dhe më duket më i lehtësuar kur shkon e shkarkon në tualet birrat e konsumuara gjatë natës, e njëkohësisht nis në këtë orë të shkruajë sms-të e para në telefon.
Ndërsa radio transmeton një këngë të vjetër të Parashqevi Simakut, e më pas të Michael Jacksonit, titujt e gazetave dhe edicionet e para të lajmeve të lexuara nga Bashkimi, sigurisht që nuk mund t’i mungonin atmosferës gjithnjë të update-uar të zyrës së specialistit të medias, A. Rada. Gishtat nuk i qëndrojnë një moment pa lëvizur, herë duke gërmuar hundën, herë duke kruajtur veshin, herë duke lëmuar flokët e tij model Josip Visarionoviç, herë duke bërë chat, e herë duke dërguar mesazhe me lekët e fundit që i kanë ngelur në celular. Mbyll sytë e nis të imagjinojë se si do të qe të udhëtosh në këto momente me Ardit Radën. Makina nis të ngjisë kthesat e Ballshit, e teksa unë tentoj të mbaj hundën mbyllur për të mos u turbulluar nga era e këndshme e gazit natyror, vazhdoj të dëgjoj zhurmën karakteristike që bëjnë gishtat e Radës mbi tastierën e vogël të celularit pa pushim. Vendos tapat e veshëve, i bindur që Rada nuk do të pushojë kurrë së bëri zhurma të tilla, të vockla, të bezdisshme, por persistente. Nuk mundem të mbyll sytë, si te ai shkrimi tjetër, se jam shofer, dhe kjo do të kishte pasoja të pariparueshme.
“Më mori një ditë në telefon”, kujton Sokol Shameti, “dhe më tha si quhej, më tregoi moshën që më befasoi por njëkohësisht më bëri dhe kurioz dhe më tha se donte të ndryshonte Shqipërinë”!
Ishte viti 1994, kur Rada, së bashku me një grup tjetër (jo ata që mendonit ju në fillim, një tjetër grup) miqsh të ngushtë të tij, asnjëri më i madh apo më e madhe se 100 cm (se ishin ende fëmijë helbete), filluan pothuajse të vetëm, të vendosur në rresht për dy dhe të kapur pas përparëses së shokut, rrugëtimin e tyre në jetën publike me Lëvizjen Aktiviste Rajmonda?
Sokol Shameti kujton, se në atë kohë, kur ai mendonte negativisht dhe me dëshpërim negativ për këtë brez të ri apatik dhe negativ, që sipas tij nuk dinte të reagonte pozitivisht ndaj asgjëje negative, që flinte negativisht nëpër krevate natën, madje bënte dhe gjumë dreke, i painteresuar për të ndenjtur zgjuar gjithë kohës, siç është Sokoli për shembull, që s’fle gjumë asnjëherë, po dhe kur fle e mban njërin sy hapur, dhe pa asnjë ideal, mor po kokërr ideali s’kishte ky brez, të binte miu thyente kokën, pikërisht në këtë kohë pra, kjo telefonatë e dikujt që i thoshte se ishte 7 vjec e se kërkonte të bënte dicka ndryshe, e kishte bërë të nisej drejt e për në ambasadën e Koresë së Veriut, që ndodhet ende aty, te selia e Volksvagenit e të kërkonte azil politik të përkohshëm, sa të rregullonte muhabetin me Kubën.
Ky përfaqësues i medias (Sokol Shameti, shën. i përkth.), i cili që nga ajo ditë e deri më sot do të ketë të njëjtin mendim kontroversial për Radën, ishte në fakt vetëm një prej shumë shqiptarëve që ndoshta (madje ç’ndoshta, me siguri!) pa e ditur as vetë kishin vërtet nevojë për një shembull ndryshe të vërtetë, që mundësisht të vinte nga bota e rinisë, të ishte i hollë, i gjatë, ezmer, i qeshur, me pak mjekër, i paartikuluar qartë, i veshur me këmishë e me jelek, si dhe me mbi një mijë friends në Facebook, e t’u tregonte se gjërat mund të ndryshojnë, po dhe mund të mos ndryshojnë. Këta të rinj ishin të gjithë si Arditi, të dhënë pas chatit, birrës, dhe mbrëmjeve muzikore me shoqërinë. Ata nuk lexonin shpesh, dhe kur lexonin, nuk para mbanin mend gjë. Kryesisht nëpër statuset e facebook-ut të tyre gjën shprehje popullore, batuta të radhës, ose citime të marra nga wikiquote. Ndaj dhe këta të rinj e patën më të lehtë të bënin për vete së pari botën e medias cilësore elitare shqiptare, prej së cilës u largua në mënyrë të menjëhershme e demonstrative, në shenjë proteste, Sokol Shameti. E përmes medias, Rada bëri për vete edhe të tjerët.
Ato ditë Rada dhe miqtë e tij kishin skanuar gjurmën e prapanicës së tyre të majtë në një copë letër për t’i krahasuar pastaj se cila do të ishte më e zakonshmja, më fort e ngjashme me duart e miliona shqiptarëve.
Dikush e kishte të hollë, dikush nuk e kishte të rritur mjaftueshëm, dhe e kishte akoma të vogël, një tjetër e kishte më të trashë duke ofenduar shijet e rafinuara estetike të shqiptarit të thjeshtë, dikush tjetër s’kishte bythë fare.
Në fund, të gjithë kishin rënë dakort që prapanica e skanuar e Arditit ishte më e mira, dhe më e këndshmja, më e përshtatshmja për të prodhuar posterat e parë të Lëvizjes Aktiviste Rajmonda?, me atë foto, e me disa pika të blerta, si shenjë e një karakteri ambientalist që shënoi fillimin e këtij aktiviteti fisnik, postera që po ato ditë i shikonte nëpër rrugët e Tiranës edhe Andi Kananaj, sot një prej bashkëpunëtoreve më alergjikë të Lëvizjes Aktiviste Rajmonda? dhe kandidat i kësaj lëvizjeje në Durrës.
“Më mori në telefon herët në mëngjes, ose vonë në mbrëmje”, kujton Andi, “dhe më kërkoi të takoheshim se s’kish me ça shtynte kohën”. “Pimë nja pesë birra në një bar mu në qendër të Tiranës, dhe fjalët e para që më tha pasi e zuri lemza ishin se po e kujtonte dikush, me siguri. Pastaj më tha që donte të luftonte gjithë zakonet e këqija të shqiptarëve, që janë shumë protektivë ndaj bijave të tyre, dhe se duke parë raste të shumta në vende të tjera mendonte se nëse do artikulohej mirë i gjithë ky mesazh i gjatë, me siguri do të kishte sukses e gjithë fushata e parë e Lëvizjes Aktiviste Rajmonda?”.
Ai (Andi Kananaj – shën. i përkth.) mendoi pas atij takimi, pothuajse të njëjtën gjë që kanë menduar të gjithë kur e kanë takuar për herë të parë Arditin: Pse ia hapa atë dreq telefoni!
“Mendova edhe se duhet të ishte cun trim me fletë dhe se kishte fat që natyra e kishte pajisur me dhuntinë për të marrë gjak në vetull, dhe dhuntinë tjetër për artikuluar mirë, qartë, dhe pa asnjë sforco budallallëqe nga më banalet, por dhe paradokse nga më të kultivuarat”, thotë Kananaj.
Makina ndalon në Patos ku kafet janë mbushur me klientët e mëngjesit. Përpara se të zhvillojë takimin me të rinjtë e atij qyteti, Ardit Rada e gjen kohën të vizitojë më parë një familje të varfër në periferi, të cilës i ha bukën, e meqë ka vendosur t’i bjerë në qafë, u merr dhe tre karamele, nga të cilat një e fut në gojë, e dy i mban në xhep që ti ketë për gjatë rrugës.
Dy vajzat e asaj familje më duket se i ngelen gjatë në mendje e në zemër Arditit: që të dyja me titull doktorature, madje dhe me master në universitetet më të mira të botës, shembullore në shkollë, pjesëmarrëse në aktivitete jashtë shkollore, dhe të kompletuara me lexime të ndryshme jashtë klase, ato janë kandidatet perfekte për deputete me lëvizjen Rajmonda? ndonëse për të ndihmuar të ëmën u duhet që çdo mbrëmje të marrin furçën e dhëmbëve dhe të lajnë dhëmbët me kolinoz. Është e vetmja mënyrë që kanë për t’i mbijetuar kariesit që po bën gjëmën në Patos e në rrethinat përreth (se rrethinat mund të mos jenë gjithmonë përreth).
Gjatë gjithë asaj dite Arditi flet, flet dhe vetëm flet për një fushatë pozitive dhe më duket pak si non-sens që ky s’pushon së foluri asnjëherë. Në kulmin e kësaj fushate ky vazhdon t’u shpjegojë njerëzve apo turmave se jo të gjitha të këqijat na vijnë nga shteti, dhe se ky shtet nuk mund të akuzohet për cdo gjë. Sipas Ardit Radës një pjesë të mirë të fajeve i kemi vetë: “Nuk na ndalon njeri të bëjmë dhe ne marrëveshje me Delijorgjin, siç ka bërë Mehdiu, Berisha, Rama, e të tjerë. Po edhe mirëmëngjes njëri-tjetrit duhet t’i themi që të shfaqim kulturë. Nuk e ka fajin shteti që i moshuari ka nevojë që t’i japë dorën një çun trendy si puna ime. S’na e ka fajin shteti nëse njerëzit vdesin në mes të plehrave, ku punojnë për të nxjerrë bukën e gojës”, e dëgjoj Arditin të thotë atë ditë në çdo takim elektoral që ka në Patos.
E në secilin prej këtyre takimeve përmend dy vajzat që edhe kishin kohë të mësonin edhe të lexonin, edhe të dashuronin, po edhe të lanin dhëmbët e të mbanin një higjenë të lavdërueshme orale. Ndjej se me siguri se Arditit shembuj të tillë nuk i kujtojnë fëmijërinë e vet prej çuni të një drejtori të SHIK-ut. Ka diçka personale në atë që artikulon keq, dhe po të shikosh rrotull fytyrat e atyre që e dëgjojnë, diku në cep të sallës, apo diku mes të tjerëve të rrëmujshëm e të zhurmshëm, do të gjesh gjithkund sy të shtrembët të njerëzve që vuajnë nga strabizmi pavarësisht zhurmës përreth.
I lindur nga e ëma, Arditi që i vogël fare iu desh të adoptonte disa mënyra mbijetese që e rritën shumë më shpejt se moshatarët e vet. Ai nuk e ka bërë publike shpesh, por rrinte gjithnjë i varur për këmbësh në një pemë pranë shtëpisë, prandaj është zgjatur kaq shumë. Në moshë krejt të re ai mësoi të godiste me llastiqe drejt e mbi xhamat e fajshëm të komshiut demokrat përbri. Në moshën 15 vjeçare Arditi emigroi maleve për në Rusi, ku u dashurua me një femër, si Ismail Kadareja. Por rusëve iu duk Arditi si kurd, dhe e përzunë shpejt këtë dele të zezë mes atij populli qumështor.
Një kombinim rrethanash fatlume dhe mbi të gjitha vullneti i komshiut poshtë që nuk i duronte dot zhurmat e përnatshme të Arditit (komshiu qe trombonist në profesion), bëri që Rada të mos i mbaronte kurrë studimet e veta pranë një universiteti famoz në Tiranë. Në vitin e tretë, kur kishte mjete financiare për ta vazhduar shkollën, në mënyrë krejt të pashpjegueshme Rada vendosi të futet në punë te Lëvizja Rajmonda? Punë kërkuese dhe ezauruese kjo, që nuk e lë të shkojë e të japë provimet. Sa herë që binte borë, një herë në katër pesë vjet, Rada me shokët e tij ndërtonin babagjyshë të cilëve iu vendosnin si hundë herë një karrotë, e herë një patëllxhan, në varësi të asaj që u ndodhej më pranë.
Pak vetë e dinë, por një prej bashkëpunëtoreve të tij të mëvonshme, Bora, ka qenë në të njëjtën klasë me të. “Kemi bërë atë dreq gjymnazi bashkë”, kujton ajo, “dhe e mbaj mend si një djalë që ishte shumë më i heshtur dhe serioz se djemtë e tjerë të së njëjtës moshë, që gjithë kohës i vinin stërkëmbësha, i bënin lloj lloj shakarash, dhe nuk e merrnin asnjëherë që të luante volejboll me ta. Mua në atë kohë faktikisht më pëlqente një djalë tjetër, pak më i ëmbël, gallatë, që fliste shumë dhe që merrej me aktivitete jashtëshkollore”. Bora beson se për shkak të vështirësive të tij në shkollë, atij iu desh më shumë kohë që të mësonte volejbollin.
“E mora në telefon kur sapo kishte filluar punën e tij me Rajmonda?”, kujton Arbër Zaimi, “dhe e ftova në një përballje në Facebook me Flavio Qarrin. Në fillim, duke e parë në ekran nuk më pëlqente, por që nga ajo përballje në ekran, ka filluar të më pëlqejë në ekran, dhe të më hyjë në zemër në ekran dhe ky mendim në ekran nuk më ka ndryshuar as edhe sot e kësaj dite”.
Sipas bloggerit të njohur (Arbër Zaimi – shën. i përkth.), ajo që Arditin e veçon nga të tjerët, është se ai “është shumë shumë acarues”, një i ri “i cili nuk rri dot pa reaguar, edhe kur nuk ka asnjë opinion mbi situatën”, që merr pjesë dhe “bëhet protagonist vend e pa vend”, nuk ka rëndësi nëse ka të drejtë apo jo – “ai gjithmonë të bën që t’i mirëkuptosh kundërshtarët e tij të flaktë.”.
“Besoj se ndryshe nga shumë të tjerë që si ai i kanë këto dhunti ose më keq se këto, Arditi nuk thotë asnjëherë nuk mundem, apo nuk mund ta bëj këtë gjë. Ai pohon gjithmonë se do ta bëjë diçka edhe kur nuk e ka bërë më parë dhe sigurisht rrugës duke shkelur mbi këdo që i del para, mëson si të perfeksionohet ndërkohë që bën gabime të pafalshme që i vuajnë të tjerët.”, thotë Zaimi.
“E kisha parë në televizor kur isha në Durrës, dhe u kisha thënë të gjithëve në atë moment: këtë djalin e kam pasur në klasë, që në klasë të parë, po nuk është faji im. Unë kurrë nuk e kam patur shok.”, vazhdon Bora, e cila nuk e mohon se një arsye më shumë që e bindi të shkonte në Vlorë me pushime, sa më larg Tiranës, ishte pikërisht telefonata invadente dhe bezdisëse që bëri më pas me Arditin dhe ftesa që ai i bëri për të pirë ca teke konjak së bashku te “Box-i”, e për të diskutuar mbi perspektivat e zhvillimit të Lëvizjes Rajmonda?, si dhe për ndonjë dorë seks pas muhabetit.
Me Lëvizjen Rajmonda? Arditi bëri gjithçka që kishte një simbolikë ndryshimi, që nga lyerja e mureve të brendshme me ngjyrë portokalli, e deri te montimi i një ekrani të madh në hollin kryesor që transmetonte imazhe të Arditit nga jeta e përditshme, duke dhënë një mesazh të kuptueshëm lehtësisht nga kushdo, se askush në vend nuk e kishte të panjohur atë prapanicën e tij me pikëza të blerta të stamposur në postera.
Padyshim që pjesë e suksesit në dështim të Ardit Radës ishte dhe bindja e tij ndaj donatorëve ndërkombëtarë, të cilët të lodhur energjinë e pashtershme të këtij njeriu me kapacitete ende të dyshimta, vendosën që t’ia prisnin një dorë. Gjatë gjithë këtyre viteve Arditi mundi të forconte dorën tjetër, me të cilët sot përkëdhel ata që janë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Pikërisht këtu merr fill motoja e tij “Edhe me një dorë do t’ia dalim”.
Njëra prej tyre, Sidita, kujton se ishte fundviti 1999 kur e kishte njohur, atëherë “kur Arditi ende i binte maces me lugë”. “Unë e njihja në atë kohë”, vazhdon Sidita, “thjesht si llafazani më i keq, thashethemexhiu më kokëçarës, fëmija më dembel, që s'kishte lënë vend të botës pa bredhur dhe kudo që kish gjetur dy gurë së bashku, i kishte ndarë. Tani Arditi kishte këtë joshjen e çuditshme për të shkruar e për të botuar artikuj pa lidhje, në një kohë kur çdo i ri tjetër me atë bagazh do të gjente fare lehtë postin më të rehatshëm e më të mirëpaguar si kamarier në shumë lokale të bregdetit shqiptar”.
Me një karizëm për t’u mbajtur mend, e me ide gjithnjë brilante në absurditetin e tyre, thotë ajo (Sidita, shën. i përkth.), me streptokokë të pashtershëm dhe ngjitës, ai nuk pyeste kurrë a mund t'a bëj, por çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë. Pasi ia tregonim se si bëhej, ai gjithnjë përtonte. “Prandaj dhe çdo skuadër që ai drejton rri në stol, se s’ka nerva të dalë në fushë”.
Kantautori dhe antikonsumisti i njohur Joni Hankollari e ka njohur pikërisht në fillimet e tij, Arditin. “Kur e takova për herë të parë mendova: Ky një ditë do të më ketë bezdisur aq shumë sa do të filloj të kruhem pa paralajmërim, dhe do të më dalin ekzema në ije”. thotë Hankollari për revistën VAPË-O.
“Më pas e njoha mirë”, thotë Sokol Shameti, “më pëlqen sepse e ka lëkurën të butë, si të gjithë ata të kësaj ngjyre. Ai është “self-made guy” (i bomë me veten e vet), dhe mbi të gjitha “workaholic” (që shkon tapë në punë në mëngjez, dhe vjen tapë nga puna në darket)”.
Kananaj argumenton se bashkarisht me Arditin kuptuan qartë se nuk mjaftonte vetëm druri që të hiqje qafe këtë të ri të apasionuar. Ky “self-made guy” dhe “workaholic” duhet lënë pa rrogë për një javë rresht që të ulet e të mbyllë design-in e Gazetës Saktivista, që edhe pse është gati për botim, ka ngecur në duart e Radës. Por Kananajt i duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes për t’i ndryshuar gjërat në atë vend.
Me këtë ide, Kananaj e bindi Arditin të shkëputej nga Lëvizja Rajmonda? dhe të krijonte Lëvizjen Suela#, që ka për himn këngën e famshme “Ti je Lezbike”, këngë që buçet nëpër kasetofonat e shoferave të autobuzave si dhe në makinat e katundarëve që mbështesin mitingjet e Sali Berishës pas shtatë orësh rrugë. Lëvizja Suela# pretendon të jetë forca e shtatë a tetë politike në dy a tre qarqe të vëndit, sipas sondazheve të Verd Nores PhD. që ka dy ditë që ka dalë rrugëve duke plotësuar pledgecards për Radën.
Zaimi nuk e di se si do të ishte sot një përballje e dytë mes Qarrit dhe Radës, pasi që të dy janë në stafin e Gazetës, por mendon se në çdo moment një gjë është e pasigurt: “Rada në jetën e përditshme është po ai njeriu acarues që del në televizor”.
Këngëtari i Top Channel-it që ka pranuar të identifikohet me imazhin e Lëvizjes Suela#, Leart Kola, kujton se nuk bëri asnjë plan afatgjatë dhe të mirëdetajuar me Arditin, dhe se vetë ky nuk merr pjesë në Lëvizjen Suela#. “Unë marr lekë për të kënduar” thotë Learti “Jam i ri, e kam jetën përpara”.
“Arditi është po aq filozofik (në sensin abstrakt të fjalës) sa edhe praktik (është aq praktik sa mund ta përdorësh edhe për të ndërruar poçat e llampadarit, se është i gjatë), po aq liberal sa edhe socialist, po aq konservator sa dhe njeri i progresit, po aq nacionalist sa dhe ksenofil, po aq burrë shteti, sa dhe amvisë nikoqire, po aq njeri sa edhe mushkë, dhe më pëlqen mënyra si i kombinon këto dy gjëra”, thotë Learti, sipas të cilit lideri i Lëvizjes Suela#, “di të jetë i përshtatshëm për cdo moment në të cilin ndodhet, sidomos kur është në banjo në darkë” dhe se “nuk shikon majtas djathtas kur është në banjo, por është shumë i vendosur te ajo që do të bëjë dhe pikërisht atë bën, pavarësisht asaj që mendojnë të tjerët”.
Katjusha, gjithashtu kujton momentin kur rastësisht u njoh me Arditin. Pesë vjet më vonë, ajo shprehet se “jemi në gurmaz të një epoke, o na pështyn, o na gëlltit. Njërën këmbë e kemi majtas, tjetrën djathtas, i mjeri Ardit që ka dy këpucë të majta. Se të djathtat duke i tërhequr zvarrë në zallamahinë e tranzicionit rraskapitës i janë prishur. Mu bash për këtë na duhen këpucë të reja, mbushur me aromë të këndshme lulesh, që mbarsur me ideale dinë të bëjnë diferencën”.
“Por njerëzit rriten”, vazhdon ajo, “dhe kur rriten në përgjithësi plaken më shpejt, pra sa më shpejt që rriten, aq më shpejt edhe plaken, dhe në përgjithësi plaken duke braktisur idealet, e kjo është betejë mes të riut e të vjetrit brenda teje, mund të mbetesh i ri duke konservuar fort besimin, duke mëkuar shpresën, por mund të plakesh pavarësisht kësaj, dhe gjithsesi nuk e di se ç’desha të thosha tamam tamam, por s’ke ç’i bën, do plakesh, dhe kur të plakesh do dalin ca Arditër të tjerë të të tallin, dhe ti shurdh e gjysëm qorr do numërosh tespiet, edhe pse nuk do jesh më tepër se 37 vjeç e dy muaj. E gjithë kjo plakje e parakohshme do t’i vijë prej dyshimeve, frikës, korruptimit. Uroj që Arditi të jetë i gjatë, dhe i ri, se po i hyn një fabrike sallami që është lodhur duke prodhuar sallame të vjetra”.
Ky blog mirembahet nga vullnetare te Lëvizjes Suela#. Këta janë njerëzit që harrojmë dhe gjërat qe mbarështojmë nëpër Shqipëri.![]()